Na ka sjellë varfëri dhe dëshpërim. Na ka humbur besimin dhe na ka vrarë shpresën. Po na vret edhe te ardhmen.
Kosova edhe pse ka popullsinë me të re në kontinentin e vjetër, edhe pse qytetarët e saj flenë mbi arë, argjend, plumb, zink, krom, nikel e minerale tjera, edhe pse flenë mbi thëngjill, prapë se prapë gjysma e popullsisë është e papunë dhe e pa shpresë.
Edhe pse nëntoka e Kosovës është shumë e pasur, qytetarët e saj kanë mbetur të varfër. Shkalla e papunësisë në vendin tonë, përgjatë këtyre viteve pothuajse ka mbetur e njëjtë dhe e pandryshuar.
Të dhënat e Agjencisë se Statistikave të Kosovës për ketë fenomen nuk kanë paraqitu gjendjen reale. Papunësia sipas ASK-së është 35.3%, gjë që nuk është një shifër që reflekton realitetin. Shifrat e papunësisë janë shumë me të mëdha, fakt të cilin e kanë paraqitur edhe raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Para disa muajsh në panairin e punës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, vetëm për dy ditë sa ka qëndruar i hapur panairi, mbi 1000 persona kanë kërkuar punë.
Përndryshe Kosova ka shkallën më të lartë të papunësisë në rajon edhe sipas shifrave zyrtare edhe pse nuk janë reale dhe atë Kosova me 35.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 27.5%, Shqipëria me 17.9, Serbia me 18.9% dhe Mali i Zi me 18%.
Të gjitha këto shifra dhe të dhëna tregojnë që papunësia në Kosovë në vend se të ulët, ajo po rritet dhe ky do të duhej të ishte alarm për institucionet e Kosovës. Në vendet e perëndimit në qoftëse norma e papunësisë do të kalonte mbi 15% institucionet do të alarmonin, gjë që në vendin tonë nuk po ndodh.
Niveli i lartë i papunësisë dhe kriza ekonomike ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Rastet me të shumta të vetëvrasjeve në Evropë janë regjistruar në Itali, Greqi dhe Irlandë, të cilët për shkak të pamundësisë se përballimit të shpenzimeve të tyre si rrugëzgjidhje kanë zgjedhur vetëvrasjen. Një ndër faktorët kryesor që qytetarët e Kosovës bëjnë vetëvrasje është kriza ekonomike dhe papunësia. Vetëm gjatë viteve 2001 deri në vitin 2014, janë evidentuar 855 raste të vetëvrasjeve dhe 2967 vetëvrasje në tentativë. Ky fenomen është në rritje dhe shumë shqetësues për vendin tonë.
Institucionet e vendit duhet të kenë një plan konkret për hapjen e vendeve të reja të punës. Zbutja e papunësisë mund të bëhet duke përkrahur bizneset vendore, posaçërisht në sektorin e prodhimtarisë. Bizneset që do të merrnin përkrahje nga qeveria e Kosovës do të duhej që se paku të punësonin nga një anëtar të një familje që nuk e ka askënd të punësuar. Një gjë e tillë mund të arrihej duke ulur normat tatimore apo lehtësira në politikën e tregtisë se jashtme.
Ulja e papunësisë e rrjedhimisht zbutja e varfërisë mund të bëhet vetëm nëse qeveria i orienton politikat në zhvillimin e sektorit privat.
Ndalimi i punësimit të shumëfishtë do të jepte shpresë se megjithatë diçka po lëviz për qytetarët.
Krijimi i politikave të favorshme për tërheqjen e investitorëve jo vetëm që do të krijonte vende të reja të punës, por do të nxiste edhe zhvillim ekonomik. Autoritetet e vendit investitorëve duhet që t’ua garantojnë kapitalin dhe të ju krijojnë lehtësime tatimore, duke eliminuar kështu edhe burokracinë.
Pengesat kryesore ndaj investimeve që na mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës janë pengesat administrative dhe burokratike, mos garantimi i kapitalit, si dhe taksat e larta që nuk lejojnë hapësirë investitorëve të shtrijnë aktivitetin e tyre.
Investitorët që shkojnë për të investuar në Malajzi priten aq mirë nga nëpunësit qeveritar sa që do të bëjnë ç’është e mundur për t’i përmbushur kërkesat tyre, madje edhe nëse shërbimi që do të kërkojnë nuk do të jetë i mundur në zyrën e tyre, ata do të i telefonojnë një nëpunësi nga një zyrë tjetër, që mund t’ju ofrojnë atë shërbim. Pse mos të marrim shembuj të tillë kur më shumë se kurrë i duhen Kosovës.
Një shtet nuk mund të shënon asnjëherë progres dhe zhvillim ekonomik derisa administrata publike dhe qeveria janë ato që krijojnë vende të reja të punës. Sa më shumë që qeveria të krijojë vende të reja të punës, aq më tepër do të shtohet papunësia e rrjedhimisht edhe varfëria.
Është interesante të potencohet se shumë kush duke arsyetuar papunësinë thotë se gjyshërit tanë kanë jetuar duke punuar tokën dhe kanë jetuar pa marrë ndonjë pagë. Është e vërtetë që Kosova në të kaluarën ishte vend krejtësisht bujqësor, por edhe kërkesat për produkte ishin shumë të vogla dhe punësimi nuk ishte aq problematik. Të mirat që do të duhej të prodhoheshin si qumështi, rrobat, mishi etj, prodhoheshin në ekonomin familjare. Për prodhimin e këtyre mirave kapitale nuk kërkoheshin mjete të veçanta dhe kësisoj të gjithë ishin të punësuar.
Në rast se e krahasojmë ketë periudhë me kohën në të cilën jetojmë, ku kërkesat i tejkalojnë nevojat elementare, atëherë mund ta kuptojmë që punësimi është jetik për qytetarët.
Individi në kohën bashkëkohore ka kërkesa të shumta që përfshijnë telefonat mobil, televizorët, veturat, kompjuterët, frigoriferët etj, janë më shumë se elementare dhe luksoze nëse krahasohen me të kaluarën, por që tanimë më janë bërë domosdoshmëri.
Në një mjedis si ky i yni, shumë të rinj të diplomuar në Universitete ose janë të papunë ose merren me punë të paqena. Në kuadër të këtij mjedisi, si në asnjë vend të botës, mu në pikë të ditës qytetet e Kosovës janë shndërruar në shëtitore te të papunëve. Të rinjve nuk u ka mbetur gjë tjetër vetëm të “dëfrehen” kafitërive të stërmbushura, në çdo kohë dhe në çdo cep të qyteteve.
Prandaj si të arrijmë ta pranojmë ketë të vërtetë kaq të hidhur? Si ta pranojmë ketë të vërtetë, ku resurset njerëzore, më të kërkuara në gjithë botën, tek ne bredhin rrugëve duke u shëtitur nga një kafiteri në tjetrën të pa shpresë se një ditë do të ndryshojë diçka.
Në fytyrat e rinisë sonë vërehet një gjendje depresive dhe shqetësuese, ku gëzimi i tyre nuk zgjatë më tepër se një gllënjkë e një filxhani kafeje. Kështu ndodh kur je pjesë e një shoqërie të paorganizuar, e cila vazhdon të prodhojë pasiguri ekonomike dhe sociale.
Pyetja e cila dëgjohet më se shpeshti viteve të fundit nuk është tjetër pos A je duke punuar? Kjo pyetje ka marrë formën e një përshëndetje të zakonshme edhe në mes të atyre që ndoshta nuk njihen aq shumë.
Shqetësimi i yni kryesor tanimë është papunësia, e cila ka kapluar çdo mendje njeriu. Duke mos pasur mundësi që të rinjtë të punojnë po ndihen të padobishëm dhe të tepërt në rrethin ku jetojnë, të nënvlerësuar e të nënçmuar, të tensionuar e stresuar e madje edhe të depresionuar.
Me të drejtë Frojdi thoshte: “Puna është faktor kyç që kontribuon në shëndetin psikologjik dhe mirëqenien e individit”.
Deri kur të rinjtë do të vazhdojnë të sorollaten rrugëve, deri kur të vazhdon kjo gjendje e mjerë për qytetarët e Kosovës, deri kur vendi i punës do të jetë luks, deri kur hyrja në një vend pune do të konsiderohet mrekulli, deri kur kështu….!