Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë: Italia, Turqia, Kina e Greqia

Tiranë, 28 janar – Instituti i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT) ka publikuar të dhënat zyrtare rreth tregtisë së jashtme të Shqipërisë për muajin dhjetor 2014, ku rezulton se eksportet e mallrave arritën vlerën 19 miliardë lekë, duke u ulur me 10,5 për qind në krahasim me dhjetor 2013 dhe 10,4 për qind në krahasim me nëntor 2014.

 

Sipas INSTAT, rënie më të madhe vjetore kanë pasur eksportet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 29,6 për qind, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 26,1 për qind dhe “Prodhime druri dhe letre” me 19,9 për qind. Rritje më të madhe vjetore patën eksportet e grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 89,7 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” me 30,9 për qind dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 28,7 për qind.

 

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 65,1 për qind të të gjithë tregtisë. Ndërkohë partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (35,9 për qind), Turqia (7,0 për qind), Kina (6,8 për qind) dhe Greqia (6,5 për qind). Në muajin dhjetor 2014 importet e mallrave arritën vlerën 54 miliardë lekë, duke u ulur me 8,8 për qind në krahasim me dhjetor 2013 dhe duke u rritur me 12,0 për qind në krahasim me nëntor 2014. Rënie më të madhe vjetore kanë pasur importet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 29,9 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 20,5 për qind dhe “Ushqime, pije, duhan” me 10,9 për qind. Rritje më të madhe vjetore patën importet e grupit “Prodhime druri dhe letre” me 21,7 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” 17,7 për qind dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” 9,8 për qind.

 

Ndërkohë që deficiti tregtar i këtij muaji është 35 miliardë lekë, duke u ulur me 7,9 për qind krahasuar me dhjetor 2013 dhe duke u rritur me 29,8 për qind në krahasim me nëntor 2014.

Artikulli paraprakNjë i ri nga Gostivari vritet në Siri
Artikulli vijuesGjuriq: Bisedime për Trepçën, përgjegjësi nga ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës