Dorëheqja e nënkryetarit Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka shtuar presionin ndaj Shpend Ahmetit, nëse do të vazhdoj të qëndroj edhe më tutje në këtë parti.
Sejdiu konsiderohet ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Shpend Ahmetit.Sejdiu e Ahmeti pos që ishin bashkëthemeluesit e FER-it, ata në të njëjtën kohë i ishin bashkuar VV-së dhe ishin dy njerëzit që e fituan Prishtinën.Burime të Gazetës Blic bëjnë me dije se dorëheqja e Sejdiut, ia ka bërë edhe më të lehtë Shpend Ahmetit largimin nga VV.“Ahmeti i ka premtuar grupit të Dardan Molliqajt e Visar Ymerit se edhe ai do t’i bashkohet grupit të të pakënaqurve në VV, pjesë e të cilit është edhe Dardan Sejdiu, dhe tetë deputetë tjerë”, tha ku burim i Gazeta Blic.
Ndërkohë, Gazeta Blic ditë më parë ka raportuar se Shpend Ahmeti sipas të gjitha gjasave pas disa muajsh do ti bashkohet grupit të 11 deputetëve që do të ndahen përfundimisht nga kjo parti.Ndryshe para pak çastesh edhe Dardan Sejdiu, në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.Në letrën e tij të dorëheqjes, ai kritikon dy taboret brenda lëvizjes dhe informon të gjithë aktivistët e kësaj lëvizjeje për vendimin e tij.Lexoni më poshtë letrën e tij të plotë:Të nderuara aktiviste e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!I nderuari Ismajl Kurteshi, Sekretar Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!Më lejoni që fillimisht t’u falenderoj për punën dhe angazhimin e përbashkët në Lëvizjen VETËVENDOSJE!Përkundër dallimeve hera herës, në VETËVENDOSJE! kam parë vazhdimisht potencialin dhe zemërgjerësinë individuale e kolektive për t’i zgjidhur problemet e dallimet me të cilat jemi ballafaquar.
Ka kohë që ballafaqohemi me një problem brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, problem për të cilin kam qenë i informuar në intervale të ndryshme kohore dhe atë vetëm pjesërisht, e i cili kohëve të fundit ka fituar një intensitet të shtuar e mediatizim të dëmshëm.Me këso shpërthime nuk jam pajtuar, e as nuk mund të pajtohem.Pavarësisht se çfarë mendojnë aktivistët e përfshirë, kjo nuk i shërben të mirës së askujt e aq më pak organizatës sonë. Kjo vetëm se e dëmton më shumë Lëvizjen VETËVENDOSJE!Në mbledhjen e fundit të Kryesisë bashkë me Grupin Parlamentar kemi diskutuar për këtë problem.
Fatkeqësisht nuk kam parë sinqeritetin e duhur dhe seriozitetin e domosdoshëm për zgjidhjen e problemit.Kjo u dëshmua edhe me shkeljen e menjëhershme të një dakordance fillestare, të thjeshtë por të domosdoshme të cilën e arritëm në mbledhje, dhe e cila na obligonte të gjithëve që të përmbahemi nga ofendimet, shpifjet, insinuatat, e të ngjashme përmes rrjeteve sociale, ndaj njëri-tjetrit.Gjatë mbledhjës, por edhe menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë me GP e veçanërisht të nesërmen e saj, ky vendim i përbashkët dhe kërkesa publike e kryetarit Visar Ymeri dhe sekretarit organizativ Ismail Kurteshi, e bërë menjëherë pas kësaj mbledhje, u shpërfill.
Pak ditë më vonë u thirr një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm, e që për mua ishte nje mundësi e mirë për të trajtuar e tejkaluar problemet.Fatëkeqësisht, as kjo mbledhje nuk u përdor për diskutim mbi idetë dhe rrugën përpara. Përsëri, sinqeriteti i duhur dhe serioziteti i domosdoshëm munguan.
Dje, me datën 3 Janar 2018, i është bërë ftesë Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për të mbajtur mbledhje sot me datën 4 Janar 2018. Për mbajtjen dhe organizimin e kësaj mbledhje të kryesisë nuk jam konsultuar, e as informuar për rendin e ditës, ndonëse pas dorëheqjës së Visar Ymerit nga pozita e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nënkryetari i parë i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me statut të organizatës ushtron rolin e Kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Për më tepër, për këtë ftesë fillimisht jam informuar nga konferenca për media e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, më pastaj nga kolegët në kryesi, e krejt në fund më është dërguar nje email dhe sms formal informues për këtë mbledhje.Përkundër korektësisë dhe vullnetit tim, e shumë të tjerëve, për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të brendshme, ndonëse për këtë problem po e përsëris kam qenë i informuar vetëm pjesërisht, thirrja e mbledhjës së kryesisë duke shpërfillur në tërësi ushtruesin e detyrës të Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dëshmon për mua përfundimisht mungesën e seriozitetit dhe sinqeritetit të duhur për tu ballafaquar me problemet tona të brendshme dhe tejkalimin e tyre në mënyre racionale, kolegiale dhe në të mirë të organizatës tonë.
Kështu nuk duhet bërë politikë, dhe kjo mënyrë për mua është në thelb kundër idesë së bashkëpunimit e mirëbesimit të duhur minimal që siguron ecje përpara.Secili nga ne është pjesë e organizatës. Secili nga ne e ka meritën e caktuar për kontributin e dhënë gjatë kohës sa jemi të angazhuar në VETËVENDOSJE! dhe secili nga ne e ka përgjegjësinë karshi situatës dhe obligimin që këtë përgjegjësi ta shndërrojmë në vepër. Rrjedhimisht, secili nga ne duhet të jetë i gatshëm që të bëjë çmos të ruaj unitetin e organizatës, në mënyrë që ta krijojmë hapësirën e nevojshme dhe të domosdoshme për të ecur para.Për mua, demokracia nuk është vetëm procedurë.
Demokracia nuk përfundon në nenet statutore.Demokracia zhvillohet e kultivohet përditë.
Sikurse që nënshtrati i zhvillimit duhet të jetë një rrjet social që siguron mbrojtje dinjitoze për secilin, ashtu edhe për demokracinë nënshtrati është fryma në të cilën ndodh zbatimi i neneve statutore, e pra procedura bëhet kuptimplotë dhe në funksion të kultivimit të demokracisë.Si pasojë, kam vendosur që nga sot të jap DORËHEQJE të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, nga posti i Nënkryetarit të Parë të Lëvizjes, nga Kryesia e Lëvizjes, dhe nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes. Veprimin tim politik do ta vazhdoj si deputet dhe anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në përputhje me bindjet e mia.
Gjithashtu, më lejoni t’iu informoj që nuk do të garoj në zgjedhjet e brendshme, kurdo qofshin ato, për të qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm e as për ndonjë pozitë në kryesi të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.