Özdemir, i cili jeton në Ankara, tha se më parë është marrë me taekvondo dhe mundje, mirëpo në vitin 1969 kishte vendosur t’i përkushtohet xhudos
Ahmet Özdemir, 62-vjeçari i cili për shkaqe të caktuara kishte ngelur i detyruar të largohet nga Kombëtarja Turke e Xhudos dhe i cili ka arritur të sigurojë nivele ndërkombëtare në këtë sport të cilin para gjashtë viteve e filloi pas një pauze prej 30 vitesh, synon medaljen e artë në kampionatet evropiane dhe botërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Özdemir, i cili mahnit shikuesit me trajnimet e rënda dhe i cili thuajse ka treguar superioritet ndaj të rinjve, ka arritur që në kampionatet që ka marrë pjesë në kategorinë e veteranëve në gjashtë vite të sigurojë tri herë vendin e tretë ne Evropë, dy herë vendin e tretë në botë dhe një herë vendin e dytë në botë.
Vitin e kaluar Özdemir me diferencë të vogël nuk arriti të fitojë vendin e parë në kampionatin botëror që u mbajt në SHBA. Në xhudo, ku ai në këtë sport ka bërë një pauzë prej 30 vitesh, synon kampionatin ndërkombëtar.
Özdemir, i cili jeton në Ankara, në një deklaratë për AA në Eskişehir ku ka ardhur në kuadër të kampit të Kombëtares Turke të Xhudos për Veteranë, tha se më parë është marrë me taekvondo dhe mundje, mirëpo në vitin 1969 kishte vendosur t’i përkushtohet xhudos.
Duke rrëfyer se pas grushtit të shtetit më 12 shtator të vitit 1980 kishte qenë i shtypur për shkak të mënyrës së jetesës, Özdemir tha: “Atëkohë, edhe pse në garat vendase fitova vendin e parë, nuk më morën për kampionatet botërore dhe olimpiadë. Nuk arrita ta tejkaloj burokracinë e asaj periudhe. Meqë nuk shkova, u hidhërova me xhudon dhe e braktisa. Po të mos më hidhëronin, mbase mund të bëhesha kampion olimpiade dhe botëror.”
Kthimi me shpejtësi pas 30 vitesh
Özdemir më tej tregoi se pas braktisjes së xhudos kishte marrë peshë deri në 98 kilogramë. “30 vite pasi braktisa këtë sport, mësova se ekziston kategoria e veteranëve. Pas iniciativave të nevojshme, fillova përsëri të merrem me këtë sport. Nga 98 kilogramë rashë në 60 kilogramë. Gjatë pauzës prej 30 vitesh u mora me tregti, megjithatë, xhudo gjithnjë ngeli interesi im”, u shpreh ai.
Duke vënë në pah se fillimisht synon të bëhet shembull për të rinjtë, Özdemir vazhdoi:
“Përmes aktiviteteve tona po bëhemi edhe shembuj për të rinjtë. Po ashtu, 20 shokë të mi kanë filluar stërvitjet pasi u ndikuan nga unë. Mënyra ime e jetesës ende është e njëjtë. Ata që më shohin nga jashtë, thonë se nuk i ngjaj një sportisti. Më pyesin nëse jam imam. Nuk ka askush që thotë se i ngjaj një sportisti. Sporti është shumë i rëndësishëm. Unë ngjitem me lehtësi në shkallë dhe e fal namazin me lehtësi. Nëse bën sport, atëherë je më energjik. Nëse Zoti më jep jetë, do të merrem me këtë sport edhe në moshën 90-vjeçare. Në qershor mbahet kampionati evropian, ndërsa në tetor ai botëror. Synimi im është të fitoj medaljen e artë në këtë kampionate.”
Özdemir shtoi se në vitin 1981 në Kampionatin Ballkanik të të Rinjve kishte mposhtur kundërshtarin grek për një sekondë e 13 të qindtat.