Pas puçit të dështuar ushtarak në Turqi, u ‘zgjuan’ edhe të gjithë antiturqit dhe anti islamistët tanë!

Kim Mehmeti

“Pas puçit të dështuar ushtarak në Turqi, u ‘zgjuan’ edhe të gjithë antiturqit dhe anti islamistët tanë, përndryshe të njohur edhe publikisht si ‘mbrojtës’ të epur të botës perëndimore dhe si shpërndarës të urrejtjes ndërfetare, por jo edhe aq mirë të maskuar, sa mos e shohësh se, vlerat civilizuese, i kanë barazuar, ose me veshjen e blerë nëpër sallonet ‘versaçe’, ose me zhveshjen nëpër spektakle televizive dhe nëpër lokalet e natës! Dhe kuptohet – ne që sot aq shumë vuajmë të jemi sa më të ngjashëm me perëndimorët, e sa më të ndryshëm nga lindorët – debatin e zjarrtë e zhvilluam ashtu siç i thurim dhe harrojmë shpejtë këngët e kënduara me çifteli dytelashe, e me të cilat nuk u kemi kënduar vetëm heronjve tanë, por edhe ideologëve dhe burrështetasve botërorë, pa lënë anësh as Stalinin dhe as Lenin! Në këtë debat, më të zëshëm ishin ata që Ankaranë zyrtare, e akuzonin për përkrahjen e ‘islamit politik’ dhe për ambiciet e saja ‘neuotomane’! E në ndërkohë, ata bënin një gabim që i nxirrte cullak si antiturqë e antiislamikë, por të maskuar si mbrojtës të vlerave Perëndimore: e akuzonin Ankaranë zyrtare për përkrahjen e ‘islamit politik’ dhe ‘neuotomanizëm’, e në ndërkohë as që e fshihnin simpatinë ndaj gjeneralëve puçistë dhe ‘gylenistëve’, duke treguar kështu se as që u bëhet vonë për vlera civilizuese! Edhe atë ja pse: për dallim nga elitat e tanishme pushtetmbajtëse të Turqisë – të cilat në mos më shumë, me fjalë – i mbështesin standardet demokratike dhe kurrë nuk e kanë proklamuar fenë si instrument të politikëbërjes, ‘gylenistët’ nuk e kanë fshehur kurrë se feja është bosht i ideologjisë dhe i veprimtarisë së tyre, në betejat për ta ‘pushtuar’ botën! Andaj edhe duhet thënë se, nuk ka asgjë të keqe të jesh kritik ndaj asaj se si një vend e kupton dhe e ndërton shtetin ligjorë, por kur këtë e bënë sipas parimit se armiku i armikut tim dhe se, ai që e dëmton shtetin dhe fenë që unë nuk e dua, është miku imë, kjo do të thotë se je islamofob e turkofob i sëmurë, për të cilin nuk ka ilaç dhe i cili, do mbetet përjetë shërbëtor besnik i çdo “Porte të lartë”, por vetëm deri sa nuk hapet ‘kapixhiku’ i ri, nga i cili do zgjatet ndonjë dorë, që do ia mbushë xhepin!” (Kim Mehmeti)

Artikulli paraprakTë dashur kolegë gazetarë shqiptarë e shqipfolës, unë jam me presidentin ERDOGAN
Artikulli vijuesPiktura murale e financuar nga OKB-ja shfaq krizën për ujë në Gaza