Pasurimi i mjekëve mbi kurrizin e pacientëve

Ofrimi i shërbimit shëndetësor në Kosovë nga dita në ditë është duke u cilësuar si jo i mirë. Qytetarët kanë shumë ankesa në personelin mjekësor. Problem në vete cilësohet referimi i pacientëve nëpër klinikat private. Mjekët marrin shuma të mëdha parash nga çdo pacient që e dërgojnë për ekzaminime në klinikat private në Kosovë. Drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Njazi Gashi pranon se kjo është bërë një dukuri mjaft shqetësuese që duhet parandaluar.
Mantelbardhët po vazhdojnë të jenë në thumb të kritikave nga ana e qytetarëve, përkatësisht pacientëve të tyre. Këta të fundit thonë se mjekët po e harrojnë betimin e Hipokratit dhe çdo ditë e më shumë po pasurohen në kurriz të pacientëve, duke përfituar në forma të ndryshme.

Referimi i pacientëve nëpër klinikat private për ekzaminime shtesë, në shumë raste pa nevojë po i bën qytetarët të mendojnë për keqpërdorime.

Në një hulumtim të bërë nga RTK-ja, pacientët thonë se mjekët po marrin përqindje nga ata, duke i dërguar nëpër klinika private.

Alban Gashi i cili ka një familjar të sëmurë, rrëfen se si e ka kuptuar këtë gjë.

Pacientët ankohen edhe në përshkrimin e barnave nga ana e mjekëve dhe referimin për në barnatore të caktuara.

Për këtë gjë është i njoftuar edhe drejtori i QKUK-së, Najzi Gashi. Ai thotë se kjo tashmë është kthyer në një dukuri. Një pjesë të fajit Gashi ua hedh edhe pacientëve apo familjarëve të tyre, ngase sipas tij, ata nuk po i paraqesin me shkrim ankesat e tyre në drejtori apo në institucione të tjera gjegjëse.

E kryeinspektorja shëndetësore e Ministrisë së Shëndetësisë, Ardita Baraku, thotë se ky veprim është thyerje direkte e etikës shëndetësore. Kryeinspektorja Baraku përmend edhe masat ndëshkuese për raste të tilla, të cilat janë nga 50 deri në 500 euro.

Gjëra si këto dhe të tjera që po plasohen çdo ditë në media, kanë bërë që numri i pacientëve që po kërkojnë shërbime shëndetësore në shtetet fqinje, të jetë mjaft i madh. /Telegrafi/

Artikulli paraprakEdhe një tjetër vdekje e dyshimtë, rënie nga kati IV
Artikulli vijuesNjë banor në Florida përpihet nga gropa gjigante e hapur papritur nën shtratin e tij