"Monstra", bllokohet ekstradimi Kosovë – Maqedoni

Ekstradimi i dy të dyshuarve nga Kosova në Maqedoni është ndalur për shkak të ngatërresave ligjore midis autoriteteve kosovare e maqedonase.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç u akuzuan në Maqedoni për vrasjen e pesë njerëzve pranë Smilkovcit, një fshat në zonën e Shkupit në prill 2012. Të dy ata u arrestuan në fillim të marsit në Kosovë. Autoritetet maqedonase dërguan një kërkesë ekstradimi në Prishtinë, por nuk kanë marë një përgjigje.

Ministri i Drejtësisë i Kosovës Hajredin Kuçi tha se gjyqësori po trajton dy të pandehur, por shtetësia e tyre e dyfishtë mund t’i shpëtojë nga ekstradimi.

“Kosova nuk ekstradon shtetasit e vet. Të dy personat në çështje janë shtetas të Kosovës [përveç pasjes së shtetësisë maqedonase],” tha Kuçi për SETimes.

Të dy të dyshuarit ndeshen gjithashtu me një gjyq në Prishtinë për posedim të paligjshëm armësh në kohën e arrestimit të tyre.

Gjykata e Prishtinës do të vendosë mbi ekstradimin e Demirit e Ismailoviçit ndonëse nuk ka asnjë afat përfundimtar për vendimin.

Autoritetet ligjore të Shkupit nuk shohin arsye për një vendim të zgjatur ekstradimi. Demiri dhe Ismailoviç u arrestuan në Kosovë pas një urdhër arrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase.

“Demiri and Ismailoviç kërkohen në Maqedoni për akuza të rënda penale. Kjo metodë nga autoritetet e Kosovës mban shenjën e etnicitetit, në vend të një lufte kundër krimit e për drejtësinë,” tha për SETimesVladimir Pivovarov, profesor në Universitetin FON të Shkupit.

“Vrasjet e kryera në Maqedoni janë më të rënda në peshë [sesa akuzat në Kosovë] dhe të dyshuarit mund të ndihmojnë hetimin për të zbuluar të tjerë të përfshirë në vrasjet pranë Smiljkovcit.”

Ismet Salihu, një profesor i të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha se mbështetur në ligjet vendase, Kosova nuk ka pse t’i dorëzojë ata të dy për shkak të shtetësisë së tyre kosovare. Megjithatë, tha ai, mund të ketë një përjashtim në qoftë se ka një marrëveshje të ndërsjellë midis të dy vendeve që parashikon një gjendje të tillë.

“Në raste të tilla, edhe një shtetas i Kosovës mund të ekstradohet sipas një marrëveshje ndërkombëtare që qëndron më lart se një ligj vendas,” tha Salihu për SETimes.

Salihu tha se ka një marrëveshje midis Kosovës dhe Maqedonisë mbi ekstradimin, që do të thotë se dorëzimi i të dyshuarve mund të bëhet, por kjo varet nga vlerësimi i ministrisë së drejtësisë.

“Normalisht, ata shqyrtojnë interesat politike, kombëtare dhe të sigurisë,” tha Salihu.

Kosova dhe Maqedonia nënshkruan një marrëveshje ekstradimi që ka qenë normale deri tani. Disa ditë pas arrestimit, autoritetet e Kosovës ekstraduan në Maqedoni Shukri Aliun që ishte dyshuar për drejtimin e atyre të përfshirë në vrasjet e Smiljkovcit gjë që doli të jetë e pavërtetë.

Si duhet t’i trajtojnë qeveritë kërkesat në rastet penale? Na thoni se ç’farë mendoni duke bërë një koment më poshtë. (SETimes.com/INA)/kohaislame

Artikulli paraprakMjerë për çdo bashkëshort të padrejtë
Artikulli vijuesSuspendohen tre zyrtarë policorë, u zunë duke fjetur