Pat apo s'pat ndikime në tenderin për pasaporta?

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka mbajtur të shtunën një konferencë për media, duke sqaruar se gjatë kohës së tenderit për shtypjen e pasaportave biometrike për qytetarët kosovarë, nuk ka pasur ndikim nga Ambasada Amerikane, se kush duhet ta fitojë tenderin.

Kjo deklaratë e ministrit Rexhepi pasoi pohimet e njërit nga zyrtarët e MBP-së tashmë i suspenduar nga puna, se tenderi për prodhimin e pasaportave është fituar me ndikimin e ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell. Por, ministri i Brendshëm ka hedhur poshtë këto pretendime.

“Si çdo shtet normal, ku ambasadorët pos tjerash avokojnë edhe për kompanitë e shteteve të tyre që konkurrojnë, ashtu ka vepruar edhe ambasadori Dell. Dhe, mund t’ju them se jo veç ambasadori Dell, po ka pasur edhe ambasadorë të tjerë po edhe ministra të tjerë që interesoheshin për kushtet e tenderit dhe që të jetë një ambient sa më i favorshëm që kompanitë nga shtetet e tyre eventualisht të dalin fitues, po pa ndikuar në fituesin e tenderit”, ka shpjeguar Rexhepi.

Ministri Rexhepi ka përsëritur se lidhur me skandalin e tenderit për prodhimin e pasaportave, MPB-ja është e hapur për organet e drejtësisë, që, siç është shprehur ai, ky rast të zbardhet sa më shpejt.

Bajram Rexhepi
​​“Ky është kontest gjyqësor dhe unë, si ministër, e kam bërë maksimumin që ky rast të zbardhet sa më shpejt, i kam dërguar letër shefit të EULEX-it dhe kemi qenë të hapur për gjithë dokumentacionin që kjo të përfundojë sa më parë. Do të jem shumë i lumtur që kjo të përfundojë se nëse dikush ka keqpërdorur, të ballafaqohet me drejtësinë”, ka deklaruar Rexhepi

Ndryshe, organet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare janë duke vazhduar procesin gjyqësor në të ashtuquajturën “aferën e pasaportave”.

Policia e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit kishte arrestuar, kohë më parë, pronaren e firmës “Consulting EU Sh.p.” Natali Velija , me dyshimin se në bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka keqpërdorur mbi 1. 4 milion euro.

Nga ana tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se skandali i fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që ka të bëjë me pasaportat biometrike, si dhe korrupsioni në MPB, fatkeqësisht e konfirmon ekzistencën e krimit të organizuar dhe ndikimin e tij në institucionet e Kosovës.

“Mendoj se është shërbimi më i keq që ka mundur t’i bëhet vendit në aspektin e reputacionit dhe besueshmërisë institucionale, besueshmërisë shtetërore dhe besueshmërisë së identitetit të shtetasve të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë se janë në konsultime me përfaqësuesit e kompania OeSD –(Österreichische Staatsdruckerei) për vazhdimin e kontratës për shtypjen e pasaportave biometrike

“Unë dua t’i garantoj qytetarët e Kosovës se nuk do të mbesin pa pasaporta”, ka theksuar Rexhepi.

Ministri i Punëve të Brendshëm, Bajram Rexhepi, gjatë konferencës ka folur edhe për refuzimin e vizitës së presidentit serb në Kosovë, me rastin e Krishtlindjes ortodokse.

Rexhepi ka deklaruar se moslejimi i hyrjes në Kosovës i presidentit serb është reciprocitet.

“Është reciprocitet, sepse derisa zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës iu ndalohet vizita në Serbi, as ne nuk do të lejojmë zyrtarët serbë të vizitojnë Kosovën”, ka thënë ministri Rexhepi, për të shtuar se për këtë çështje është më kompetent të flasë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi./rel

Artikulli paraprakGjakovë: Përfundoi protesta në hyrje të Kishës Ortodokse
Artikulli vijuesDëmi psikologjik i Amerikës dhe Evropës nga tërheqja prej Afganistanit