PDIU reagon ndaj pretendimet shoviniste greke

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) ka reaguar ndaj konferencës së mbajtur në Athinë me temën “Vorio Epiri, e shkuara, e tashmja, e ardhmja”, të organizuar nga partia Demokracia e Re, duke e parë këtë aktivitet si një manifestim të drejtpërdrejtë të pretendimeve të vjetra shoviniste territoriale të shtetit grek ndaj Republikës së Shqipërisë.


“Në këtë konferencë janë bërë thirrje të hapura për të helenizuar territorin e Shqipërisë së jugut dhe PDIU proteston fuqishëm ndaj këtyre kërkesave grabitqare. Në konferencë gjithashtu janë propaganduar mashtrime të turpshme lidhur me trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri, i cili për hir të së vërtetës gëzon ndikim, privilegje e përfaqësim politik të jashtëzakonshëm në vendin tonë, të cilat nuk i ka kundërshtuar askush” thuhet në reagimin e PDIU-së.

“Në vend që Greqia të distancohet nga këto prirje të errëta të shekullit të kaluar, të reflektojë dhe të angazhohet seriozisht që të zgjidhë çështjen çame duke kërkuar ndjesë për krimet e kryera dhe duke kompensuar pronarët legjitim shqiptarë, ne shohim që opozita greke synon të nxisë akoma më tej oreksin ndaj territoreve shqiptare”.

PDIU e mbyll qëndrimin e saj duke thënë se uron fqinjët të kenë nxjerrë mësim nga historia dhe të mos lejojnë që kriza aktuale ekonomike të mos shërbejë si karburant për të ushqyer nacionalizmin ekstrem të mbrujtur me ide shoviniste e armiqësore ndaj fqinjëve si ato që u hodhën në konferencën në fjalë. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakPse e “pushtoi” EULEX-i urën?
Artikulli vijuesMisteri i Qabesë shokues për NASA-n