Për reformën shëndetësore e energjinë e ripërtërishme, rreth 37 milionë euro

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot dy projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, njëri për financimin e reformës shëndetësore dhe tjetri për efiçiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtërishme.

 

Ndërsa për reformën shëndetësore marrëveshja parasheh një kredi 16,5 milionë eurosh, për projektin e efiçencës në energji kredia kap 20,1 milionë euro. Që të dyja janë shumë të favorshme – afati i kthimit për 25 vjet dhe 5 vite greis periodë.

 

Në mbledhjen e sotshme Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për procesin e përkthimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës. Rregullorja përcakton procedurat e përkthimit, koordinimit të procesit të përkthimit, si dhe të unifikimit të terminologjisë të acquis të BE-së në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe të zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit. Pronat janë në zonat kadastrale Konjuh, Lipjan, Smallushë, Gadime e Epërme, Marec, Gadime e Ulët dhe Babush i Muhaxhirëve në komunën e Lipjanit; në zonat kadastrale Dobratin dhe Gushtericë e Ulët në komunën e Graçanicës; si dhe zonat kadastrale Babush i Serbëve, Cernillë, Mirash, Surqinë, Rahovicë, Papaz dhe Sazli të komunës së Ferizajt.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka prezantuar para kabinetit qeveritar edhe vlerësimet për zhvillimin e protestës së djeshme në qendër të Prishtinës. Ministri ka theksuar se shkelja e parë është evidentuar nga ana e organizatorit me dështimin për të marrë lejen për protestë nga organet kompetente. Megjithëkëtë, Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës, por nuk ka mundur të respektojë ultimatumin për heqjen e pengesave, të cilat janë vendosur në përputhje me vlerësimet profesionale të sigurisë së protestës dhe pronës publike, nga ana e Policisë së Kosovës. Protesta ka rezultuar me akte të shumta të dhunës dhe me një numër të madh të të lënduarve, ndër të cilët dominojnë të lënduarit nga ana e policisë. Ministri Hyseni ka theksuar respektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për të drejtën e protestës në Republikën e Kosovës.

 

Në fund, kryeministri Isa Mustafa, ka lexuar një deklaratë të Qeverisë së Kosovës në lidhje me ngjarjet dhe dhunën e demonstruar gjatë protestës së djeshme në Prishtinë.

Artikulli paraprakQKUK: Ndihmë mjekësore kërkuan 170 të lënduar
Artikulli vijuesPërplasjet në kufi, Izraeli gjuan 50 raketa në Liban