Përdorim masiv i marihuanës

Policia deklaron se në Shqipëri më shumë se gjashtë mijë persona të jenë nën varësinë e drogave të forta, ndërsa 40 mijë të tjerë cilësohen si përdorues të rastësishëm.
Në përpjekjet për të luftuar narkotrafikun, gjatë këtij viti në Shqipëri janë bllokuar më shumë se 19 tonë marihuanë, 60 kilogramë heroinë dhe 4 kilogramë kokainë, përgjatë më shumë se 700 rasteve të grupeve kriminale në tenativë, për ta shitur, prodhuar apo trafikuar.

“Ne jemi vend tranziti, domethënë sigurisht që ne kemi edhe tregun për konsumatorët vendas, por që është shumë i vogël në krahasim me drogat që kërkohen për konsum në vendet e Evropës Perëndimore, ku dihet që edhe çmimi i blerjes është më i lartë dhe përfitimet që mund të marrin grupet kriminale janë më të mëdha. Nga studimet e fundit që janë bërë, në Shqipëri është një grup rreth 6 mijë, deri në 8 mijë përdorues problematikë. Kryesisht këta janë përdoruesit e heroinës, sepse këta janë ata persona që intoksikohen më shumë. Kryeqyteti është më i përfshirë, por ka edhe qytete të vogla si Gramshi apo Cërriku”, thotë Sokol Selfollari, shef i Antidrogës, transmeton TCH.

Sipas shefit te Antidrogës, në Policinë e Shtetit, për drogat e forta kryesisht heroinë, vërehet një ulje e përdorimit të brendshëm edhe për shkak të ngritjes së çmimit të saj në tregun ndërkombëtar. Policia raporton se çmimi i një grami kokaine varion nga 60, deri në 100 mijë lekë të vjetra, ndërsa një gramë heroinë nga 30 deri ne 50 mijë leke, kurse cigaret e hashashit kanë çmimin nga një mijë në dy mijë lekë të vjetra. Aktualisht për policinë përdorimi i marihuanës është më tepër problematik.

“Kemi patur raste. Në shkolla të mesme kemi patur disa raste, por kryesisht ka raste në shkollat e larta. Policia e rendit ka kryer shumë sekuestro pranë Universitetit në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës”, thotë Selfollari.

Sipas statistikave për këta 10 muaj janë proceduar gati 1025 mijë persona si të implikuar në çështjet e prodhimit, shitjes apo trafikut te drogës, një shifër kjo e lartë. Ndërkohë që zonat e kultivimit të hashashit janë në Gjirokastër, Vlorë, Fier, Tiranë, Krujë, Shkodër dhe pak në Tropojë. /Telegrafi/

Artikulli paraprak1.4 Milionët e humbura, dyshohet se u janë bartur zyrtarëve të MPB si ryshfet
Artikulli vijuesShkëmbime akademike Kosovë Gjermani