Përgjigjet Shpend Ahmeti: E duam Republikën më shumë se ju!

Pas kritikave të ashpra se pse Komuna e Prishtinës nuk po feston me rastin e 17 Shkurtit, ditës së Pavarësisë së Kosovës, ka reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se të gjitha akuzat ndaj tij dhe administratës udhëheqëse të Prishtinës janë shpifje dhe propagandë e kundërshtarëve.

Ai ka porositur se shpifjet për bojkotime e tema të paqena nuk i mbajnë në pushtet ata që kanë drejtuar akuza kundër tij.

 

Lexojeni të plotë postimin e Shpend Ahmetit në Facebook:

 

E rrjepin shtetin për çdo ditë duke e vjedhur, poshtëruar e mosrespektuar. E përdhosin republikën me shumicën e veprimeve që i marrin. Organizojnë makineri të propagandes për kundërshtarët që ja u qesin në shesh të gjitha të bëmat e ndyra. Kontrollojnë e zaptojnë çdo institucion të shtetit. Por ceremonitë dhe tepihat e kuq mos ja u prekni sepse aty qenka Republika.

 

Shpifjet për bojkotime e tema të paqena nuk ju mbajnë në pushtet. Sepse qytetarët e duan këtë Republikë më shumë se ju. Sepse ne e duam këtë Republikë më shumë se ju. Ne, qytetarët, e duam këtë Republikë më të pavarur se ju. Sepse kjo Republikë e shpallur me 17 shkurt mbrohet në fabrika e prodhim, mbrohet në drejtësi e barazi, e mbrohet edhe në mirëqenie sociale. Ashtu do të vazhdojmë edhe ne ta mbrojmë nga ju, nga rrjepësit e zhvatësit që mendoni se me shpifje e tema koti do të na largoni nga temat e rëndësishme.

 

Ky shtatëvjetor i pavarësisë le të jetë një ditë kthjelluese për atë se ku gjindemi 7 vite pas shpalljes së Republikës tonë të cilës ju gëzuan qytetarët e Republikës. Le ti dëgjojnë fjalët e qytetarëve anëkënd Kosovës siç ja thanë presidentes atë ditë në Gjilan.

 

Nuk e keni gjatë, Jo.

 

P. S. Qeveria është koordinatore e aktiviteteve për pavarësi. Qeveria vendosi gabimisht flamujt me pesë yje. Qeveria i tërhoqi ato.” (sic), ka shkruar Ahmeti. /Telegrafi/

Artikulli paraprakShkencëtari musliman në Danimarkë gjeti shkaktarët e ri të migrenës
Artikulli vijuesHajdutët kibernetikë vjedhin 1 miliard USD në banka