Perla nga tekstet shkollore shqiptare: “pushtuesi turk” edhe në librat e matematikës!

Mbi 20 vjet debat mbi të “shkuarën turke”, nuk u kanë mjaftuar hartuesve të kurrikulave shkollore që diç të nxënë mbi të tjera të vërteta rreth “pushtimit turk”, nga ajo që ka servirur deri dhe mënyrë groteske historiografia komuniste, ku më e pakta nuk ka qenë pushtim turk, pasi “turku” nuk ekzistonte si nocion politik, por një sundim perandorak krejt legjitim për kohën, siç ndodhte dhe me shumë popuj të tjerë dhe gati në gjysmën e botës.

Por do mjaftonte thjesht të qënit një debat i hapur që, në librat e historisë të hiqet “turku” për t’u zëvëndësuar nga termi korrekt “otoman”, meqë është diçka tej “turkut”, ka gjithëpërfshirjen në thelb, e ku “pushtimi” të zëvëndësohej me “sundim”, duke iu qëndruar besnik nocioneve të kohës. E ndërkohë që ky sqarim do vlente vetëm për “turkun” në librat e historisë, ky “turk katil” na shfaqet së fundi dhe në librat matematikës.

Pra, ajo budallallepsja e optikës komuniste në të parit të gjërave, jo vetëm që nuk është zbrapsur gjatë 20 viteve, por ka shkuar dhe më tej duke e instaluar dhe në shkencat ekzakte.

Më konkretisht, bëhet fjalë për një tekst ushtrimesh matematikore për fëmijët e klasave të 6-ta të sistemit 9-vjeçar. Në një kapitull ku fëmijëve kërkohet t’iu nguliten nocionet e ndarjes së kohës në sekonda, minuta e orë, me shumë finokëri, në një nga opsionet e ushtrimit është futur edhe një pyetje truk.

-Ç’njësi do të zgjidhnit për të matur secilën kohëzgjatje?- dhe pason përgjigjja e gatshme:

-Pushtimi turk i vendit tonë…-dhe dora e fëmijës e ka plotësuar “shekuj”.

Dhe këtu, nga nxënia e një nocionoi kohor, është kaluar në instalimin në psikikën e adoleshentëve 12-vjeçarë të një urrejtjeje në terma nacionalë, edhe për faktin se bëhet fjalë për shekuj, ku përmasa kohore e demonizon më tepër pushtuesin.

Të thuash që këto janë praktikat e vjetra komuniste për të mbjellë në zemrat e fëmijëve “urrejtje klasore për armiqtë e popullit shqiptar”, si dhe për “pushtuesit turq” që nuk ia donin të mirën Shqipërisë, është më e pakta gjë. Më e shumta është një papërgjegjshmëri e frikshme e autorëve të kurrikulave dhe të redaktorëve shkencorë që i bien kaq shkurt dhe kaq trashë muhabetit, pa pyetur për pasoja në edukimin e pashëndetshëm të brezave, në radhë të parë me të vërtetën.

Dhe kjo vlen vetëm në rast se e kanë bërë këtë proçkë nga injoranca. Nëse e kanë bërë qëllimisht nga ligësia, meritojnë një tjetër përgjigje. /tesheshi.com/

IMG_3002-1 IMG_3003-1

Artikulli paraprakNisin grevën e urisë të burgosurat në burgun e Idrizovës
Artikulli vijuesBeg Rizaj dhe Arben Rexhaj janë ekzekutuar?