Me marrëveshjen e re mes Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë dhe kompanisë ndërtuese “Beton”, përmendorja e Nënë Terezës do të kushtojë 10 milionë e 700 mijë euro.
Ministria e Kulturës nënshkroi marrëveshje me kompaninë ndërtuese “Beton” në vlerën e 5 milionë e 600 mijë eurove për ndërtimin e përmendores së Nënë Terezës.
Sipas bazës së të dhënave “Shkupi 2014 nën llupë” të cilën e publikoi BIRN-i muajin e kaluar, shuma për ndërtimin e përmendores arriti vlerën 10 milionë e 700 mijë euro, bashkë me punimin e projektit fillestar, zgjidhjen ideore dhe kontratën për ndërtim.
Me marrëveshjen e re të nënshkruar, në mënyrë drastike u rrit edhe shuma që kompania ndërtuese “Beton” mori nga projekti “Shkupi 2014”.
Baza e të dhënave të BIRN-it tregon që “Beton-i” mori pjesë në ndërtimin e 30 objekteve në vlerën e gati 191 milionë eurove. Nuk është e qartë se sa nga këto para i janë paguar kompanisë, pasi BIRN-i ka të dhëna vetëm për vlerën e kontratave të nënshkruara.
Përmendoren e Nënë Terezës ishte paralajmëruar se do t’ia ndërtonte biznesmeni indian Subrata Roy, kompanisë së të cilit “Sahara Global” për këtë qëllim në vitin 2013 i ishte dhënë parcela prej 621 metrash katrorë në Sheshin “Maqedonia”.
Pas skandalit dhe burgosjes së biznesmenit indian, vetë kryeministri Gruevski në kongresin e partisë së tij në Kumanovë këtë vit, siç transmetuan mediat, bëri të ditur se përmendorja do të ndërtohet me buxhet shtetëror dhe se sa i përket vendosjes së përmendoreve, me të do të përfundojë projekti “Shkupi 2014”.
Me marrëveshjen mes Ministrisë së Kulturës dhe “Betonit” për përmendoren e Nënë Terezës, shuma e “Shkupit 2014” arriti në 606 milionë euro.