Pezullohet aktiviteti i ambasadës së SHBA-së dhe Francës në kryeqytetin e Jemenit

0
187

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca kanë pezulluar aktivitetin në ambasadat e tyre në kryeqytetin e Jemenit, në Sana, raporton Anadolu Agency (AA).

 

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaki në deklaratën e saj ka theksuar se “Departamenti i Shtetit duke marrë parasysh situatën e paqëndrueshme në Jemen do të pezullojë punën e ambasadës për një kohë dhe ka vendosur të zhvendosë punonjësit e ambasadës jashtë Sana-s”.

 

Psaki ka theksuar se ky vendim është marrë si rezultat e veprimeve të njëanshme që shkaktuan rifillimin e dhunës, ku kërcënohet populli jemenas dhe stafet diplomatike. “SHBA-ja është e vendosur të mbështesë punën në vazhdim të jemenasve të cilët janë të angazhuar për paqen, zhvillimin dhe për unitetin e Jemenit. SHBA pas përmirësimit të gjendjes do të shikojë mundësinë për rikthimin e personelit diplomatik në Sana”.

 

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit gjithashtu ka theksuar se ambasada e SHBA-së në Sana dhe diplomatët në ambasadë do të vazhdojnë kontaktet e tyre me qytetarët e Jemenit dhe komunitetin ndërkombëtar në mbështetjen për iniciativat e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, konferencës kombëtare të dialogut për rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe për të mbështetur tranzicionin politik në vend në përputhje me ligjin jemenas.

 

Ndërkohë sipas informacione nga burimet diplomatike mësohet se edhe Franca ka pezulluar aktivitetin e ambasadës së saj në Sana për arsye sigurie. Ndërkohë nuk janë dhënë informacione të hollësishme mbi këtë vendim. Gjithashtu edhe Britania e Madhe ka pezulluar më parë punën e ambasadës së saj në Sana për arsye të sigurisë./AA