Pezullohet rekrutimi i forcave afgane

Shtetet e Bashkuara njoftuan pezullimin e të gjitha rekrutimeve në policinë lokale afgane, pas rritjes së rasteve të sulmeve të këtyre forcave ndaj misionit ndërkombëtar, që në muajin gusht shkaktoi humbjen e jetës së disa ushtarave të NATO-s.

Uashingtoni sqaron se nuk është ndërprerë misioni trajnues i forcave ekzistuese, por vetëm rekrutimet e reja. Kjo pasi të dhënat e fundit tregojnë që shumë prej kamikazëve që sulmojnë bazat apo kontigjentin e NATO-s në Afganistan, janë të porsa rekrutuar.

SHBA dyshon se talebanët mund të infiltrohen më lehtë në radhët e forcave afgane të sigurisë nëpërmjet rekrutimeve të reja.

Kreu i operacioneve speciale amerikane, Koloneli John Harrel tha se pezullimi do të qendrojë në fuqi për një ose dy muaj, derisa të bëhet një vlerësim mbi mundësitë apo shkallën e lidhjes së rekrutëve të rinj me militantët talebanë.

Të mërkurën 3 ushtarë australianë u vranë nga një ushtar afgan i porsa rekrutuar, ndërkohë që sulme të ngjashme janë përshkallëzuar ndjeshëm, sidomos pas muajit maj.kohaislame

Artikulli paraprakTë ardhurat në sektorin e telekomunikacioneve bien me 9.4%
Artikulli vijuesSiri, betejë për bazat ajrore