“PIKA MË E ULËT E MARRËDHËNIEVE TIRANË-PRISHTINË”

0
221

Pas debatit që ngriti në publik vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë ka diskutuar të martën lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës.

Përfaqësues të Partisë Demokratike në këtë komision kanë thënë se marrëdhëniet me Kosovën janë në pikën e tyre me të ulët.

Aldo Bumçi, nënkryetar i komisionit, ka thënë se takimet e Ramës me palën serbe kanë lënët në hije Kosovën.

“Duket që kemi arritur në pikën më të ulët të marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë. Jemi në një krizë. Kjo nuk është një rrufe në qiellin e kaltër. Vjet, pas takimit të Vjenës, pati një deklaratë të zotit Hashim Thaçi, i cili tha se pajtimi vjen vetëm përmes Prishtinës. Problemi i vetëm që ekziston në marrëdhëniet shqiptaro-serbe është Kosova dhe takimet e zotit Rama me palën serbe, në mënyrën sesi janë paraqitur kanë lënë në hije Kosovën”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Arta Dade, kryetare e komisionit, që vjen nga Partia Socialiste, po ashtu ka kritikuar deklaratën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se Kosova nuk ka nevoje për ndërhyrjen e Shqipërisë në dialogun me Serbinë, meqë në këtë proces vendi gëzon përkrahjen e BE-së e ShBA-ve.

“Deklarata që ka bërë ministri i Jashtëm i Kosovës, për mendimin tim është e nxituar. Do të thoja që nuk është edhe në frymën e bashkëpunimit. E kemi shumë të qartë që edhe sikur të donim të shmangeshim nga kjo, por edhe faktori ndërkombëtar, ata globalë, që pa ta nuk do të ishte Kosova që është sot, por edhe pa ne. Nëse ka politikanë pa përvojë atje që ndoshta nuk i njohin këto gjëra, atëherë ne që kemi qenë këtu, duhet t’u tregojmë se çfarë kemi bërë”, ka thënë ajo./Insajderi.