Cercone : Për liberalizimin e vizave duhet më shumë punë

Kosova ndodhet në rrugë të mirë, por ende shumë të gjatë, deri tek liberalizimi i vizave nga Bashkimit Evropian, thonë zyrtaret e Brukselit, të cilët ndërkohë theksojnë kërkesën e Komisionit Evropian që autoritetet kosovare të kenë një bashkëpunim më të mirë me EULEX-in, sidomos në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Michele Cercone, zëdhënës i Komisioneres Evropian për çështje të brendshme, Cecilia Malstroem, ka thënë për emisionin “Tash e Tutje” të televizionit nga Kosova Newstv se autoritetet e Prishtinës duhet që të respektojnë mandatin ekzekutiv të misionit të BE-së e të bashkëpunojnë me të për të pasur rezultate konkrete në luftimin e këtyre dy fenomeneve të rënda të cilat po e rëndojnë vendin.

Cercone tha se kjo kërkesë specifike është e theksuar edhe në udhërrëfyesin që Komisioni Evropian ia ka përcaktuar Kosovës për përmbushjen e detyrave për liberalizimin e vizave.

“Në të dhënit EULEX-it rol ekzekutiv për ndërtimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, udhërrëfyesi natyrisht se kërkon bashkëpunim efikas të autoriteteve të Kosovës me misionin, përfshirë edhe në zbatimin e mandatit të tij ekzekutiv. Pra, natyrisht se duhet që të ketë bashkëpunim dhe ne presim që të shohim këtë bashkëpunim dhe që të ketë rezultate. A është arritur kjo? A po ecën kjo në drejtim të duhur? Në bazë të vlerësimit të bërë në raportin tonë (të shkurtit) ndoshta kjo është një ndër pikat për të cilat rezultati ndoshta nuk ka qenë i shkëlqyeshëm. Prandaj, duhet që të bëhet më shumë punë,” ka thënë zëdhënësi Cercone.

Ai tha se sipas Komisionit Evropian nuk do të duhej që të ketë pengesa legale nga BE-ja për heqjen e vizave për Kosovën, të cilët ende mbeten të vetmit e rajonit të Ballkanit Perëndimor të kenë nevojë të pajisen me viza për të udhëtuar në zonën Shchengen.
Cercone tha se aktualisht, rasti i Tajvanit i cili nuk njihet si shtet nga BE-ja është një shembull, i cili sipas Komisionit Evropian duhet që të shërbej si precedent për liberalizimin e vizave për Kosovën, të cilën ende pesë vende anëtare të bllokut Evropian nuk ia njohin pavarësinë.

Cercone me këtë sqaroi se bazuar në situatën e tashme, kur të vij koha për heqjen e vizave Kosovës nga BE-ja, asaj kjo do të mund t’i bëhet jo si shtet, por si “territor”.

“Kosova tashmë bënë pjesë në atë që ne e quajmë ‘listë negative’ të njësive (entiteteve) dhe autoriteteve territoriale, të cilat nuk janë të njohura si shtete nga së paku një vend anëtar i BE-së. Ky është definicioni. Ka një precedent që është shumë i rëndësishëm dhe ky është precedent që quhet Tajvan. Tajvani, i cili nuk njihet nga asnjë vend anëtar, është transferuar në ‘listën pozitive’ në dhjetor të vitit 2010. Prandaj, tashmë ka një precedent legal për të transferuar njësitë (entitetet) dhe territoret nga njëra listë në tjetrën. Natyrisht se Komisioni Evropian do të preferonte që statusi i Kosovës të jetë zgjidhur në mënyrë të kënaqshme, por kjo nuk do të duhej që të ketë ndikim në heqjen e kërkesave për vizat në përfundim të dialogut të liberalizimit të vizave”, ka sqaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian Michele Cercone.

Cercone ndërkohë ka hedhur poshtë kritikat e qeverisë së Kosovës se BE-ja nuk po tregohet korrekte pse nuk ia ka hequr deri më tash vizat dhe tha se autoriteteve në Prishtinë u mbetet ende shumë punë e madhe për të bërë në përmbushjen e kushteve të përcaktuara në udhërrëfyesin i cili autoriteteve të Prishtinë u është dërguar në qershor të vitit të kaluar.kohaislame

Artikulli paraprakDhjetë të arrestuar për krim të organizuar dhe korrupsion
Artikulli vijuesImamët nga Kosova – Trajnim në Turqi