Piratët e Somalisë, mbrojtës të gjallesave ujore

Piratët e Somalisë, mbrojtës të pavetëdijshëm të gjallesave ujore.

Edhe pse kostot ekonomike dhe njerëzore të piraterisë në brigjet e Somalisë janë të mëdha, piratët mund të jenë duke ndihmuar në përmirësimin e jetës detare në këtë zonë. Ndërkohë që peshkatarët qëndrojnë larg bregdetit somalez, peshqit dhe shkëmbinjtë koralë nënujorë janë duke u gjallëruar gjithmonë e më shumë.

Kostoja e piraterisë në Somali, për vitin 2011, është vlerësuar të jetë rreth 6,6 deri në 6,9 miliardë dollarë, sipas foundacionit One Earth Future. Kombet e Bashkuara thonë se, edhe pse numri i incidenteve ka rënë gjatë vitit 2011, në fund të vitit kishte ende 265 persona të mbajtur peng. Natyrisht, shumë peshkatarë i shmangin ujërat e Somalisë. Por disa nga ata që po e zhvillojnë ende këtë aktivitet thonë se peshkimi është mjaft i mirë.

Abdul Mohammed Omar është një peshkatar 24-vjeçar nga Lamu, një qytet bregdetar në Kenia, rreth 150 kilometra nga kufiri Somalez. Rreth gjashtë muaj më parë, ai ishte në një ekspeditë peshkimi në Kiunga, pranë kufirit. Abduli thotë se tufat më të mëdha të peshqve gjenden afër Somalisë.

“E vërteta është se ana tjetër, pra në afërsi të kufirit me Somalinë, është shumë më e mirë për peshkim. Por ne nuk kemi zgjedhje për shkak të piratëve. Pra, na duhet të vijmë në këtë anë. Deri tani nuk është dhe aq mirë, sepse në këtë anë, nuk ka shumë peshk sepse njerëzit peshkojnë tepër këtu. Deri tani, biznesi ynë po përkeqësohet, pasi nuk jemi në gjendje të peshkojmë shumë tani për tani.”

Mudhir Abdulrahman është një tjetër peshkatar nga Lamu i cili ishte në Somali tre muaj më parë. Ai thotë se ai nuk shkon shpesh atje, për shkak të frikës prej piraterisë, por kur e bën këtë gjë, peshkimi është më i madh.

“Më parë, na duheshin tre deri në katër ditë për të mbushur barkën me pesë tonë peshk. Ndërsa tani, kur shkojmë atje kapim pesë tonë brenda një dite.”

Por peshkatarët e vegjël nuk janë të vetmit që janë të frikësuar për të shkuar në ato ujëra. Alejandro Anganuzzi është sekretar ekzekutiv i Komisionit të Tonit të Oqeanit Indian, me qendër në Sishel. Ai shpjegon pse aktiviteti aty është aq i pakët.

“Deri në 320 kilometra nga bregdeti i Somalisë, ata nuk kanë pasur veprimtari për një kohë të gjatë. Kryesisht, edhe sepse aktiviteti në atë zonë, për çdo anije, do të ishte një rrugë e vetëdijshme drejt fatkeqësisë. Disa nga anijet kanë shërbime sigurie në bord, por ata kanë instruksione shumë të qarta nga shtetet e tyre që të mos ushtrojnë veprimtari në asnjërën prej zonave më pranë se 480 kilometrave.”

Zoti Anganuzzi thotë se, megjithëse për shkak të rënies së peshkimit në ujërat pranë Somalisë po vërtetohet një formë ruajtjeje detare atë zonë, mund të thuhet se anijet e peshkimit janë thjesht duke u zhvendosen diku tjetër.

“Këto operacione të peshkimit nuk po zhvillohen në zonën tropikale. Por, mendoj se ato nuk janë zhdukur krejt. Pra, ajo që vihet re nuk është një ulje e intensitetit të peshkimit, por vetëm një zhvendosje. Kështu që, ajo që përbën një gjë shumë të mirë për disa lloje gjallesash në zonat tropikale do të jetë një gjë shumë e keqe për specie të vendeve të tjera, si në Oqeanin Indian jugor, apo edhe në oqeane të tjera.”

Por, përsa i përket peshkut të zonave bregdetare pranë Somalisë, peshkatari nga Lamu Omar thotë se piratët janë duke i mbrojtur ata./voa

Artikulli paraprakNga protestat në Kuvajt, dhjetëra të lënduar
Artikulli vijuesRrebeshje shiu në Mekë, atje gjenden miliona haxhinjë