Tunizi, më në fund arrihet marrëveshje për qeverinë e re

Kryministri i zgjedhur i Tunizisë, Ali Larayedh, ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për formimin e qeverisë së re, pas “negociatave maratonë”.

“Pas negociatave maratonë, kemi arritur një marrëveshje për qeverinë e re”, tha Larayedh, gjatë një konference për shtyp, mbrëmjen e së enjtes. “Jemi duke bërë përgatitjet e fundit, të cilat do të vazhdojnë edhe mëngjesin e së premtes, përpara se lista t’i prezantohet presidentit të vendit”.

Më pas ai shtoi: “Me ndihmën e Zotit, qeveria e re besohet të jetë qeveria e të gjithë tunizianëve”. Larayedh u ngarkua me formimin e qeverisë së re më 22 shkurt, teksa kishte kohë deri mesnatën e së premtes për të përmbushur afatin kushtetues për krijimin e saj.

Pritet që kabineti i ri të përmbajë të njëjtët elementë politikë si qeveria e sapolarguar. Përpjekjet për të zgjeruar qeverinë, të dominuar nga partia islame Ennahda, duke përfshirë të tjera grupe politike, dështuan gjatë konsultave të fundit, duke e lënë Ennahda me po të njëjtët partnerë koalicioni, të dyja laike./tch/kohaislame

Artikulli paraprakBrahimi takohet të hënën me ministrat e jashtëm të BE-së
Artikulli vijuesLirohet nga paraburgimi deputeti Fatmir Limaj