Plani i Sulmit: një libër që demaskon politikën amerikane

Një libër i titulluar Plani i Sulmit, po komentohet gjerësisht në mediat amerikane. Libri analizon rrjedhën e ngjarjeve që çuan në ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak. Në libër thuhet se nënpresidenti Dick Cheney kishte informuar ambasadorin saudit në Uashington lidhur me vendimin e Presidentit për të ndërhyrë në Irak para se të informonte sekretarin e shtetit Colin Powell. Në libër thuhet gjithashtu se Presidenti Bush kishte dhënë urdhër për hartimin e planeve të ndërhyrjes vetëm pak muaj pas 11 shtatorit 2001, por këto plane u ishin mbajtur sekrete madje edhe disa prej anëtarëve të lartë të kabinetit.

Administrata e Presidentit Bush është përsëri nën presion për vendimin e saj që çoi drejt ndërhyrjes në Irak.

Në libraritë amerikane nesër del një botim tjetër, një libër i shkruar nga zëvendës kryeredaktori i gazetës Uashington Post, Bob Woodward.

Zoti Woordward thotë në libër se vendimi i Presidentit Bush për të ndërhyrë u ndikua pjesërisht nga sigurimet që i dha atij drejtori i CIA-s, George Tenet. ”Zoti Tenet, i cili ishte ulur në kolltuk, ngrihet dhe thotë, mos u shqetëso, kjo është diçka që zgjidhet menjëherë,” thotë zoti Woodward.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë po përpiqet të qetësojë gjendjen në Irak, ajo po përgatitet t’u bëjë ballë edhe sulmeve terroriste që mund të ndërmerren në prag të zgjedhjeve të nëntorit. ”Ata mund të përpiqen të bëjnë diçka gjatë periudhës deri në zgjedhjet presidenciale. Për ata zgjedhjet do të ishin një rast mjaft i favorshëm që nuk mund ta lenë t’u shpëtojë. Prandaj ne po e studiojmë nga afër këtë mundësi,” thotë këshilltarja e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice.

Zyrtarët e zbulimit thonë se sulmi mund të ndërmerret në çdo kohë. Ata janë të shqetësuar kryesisht për objektiva të tilla të lehta që mund të sulmohen si monumente, komplekse dyqanesh apo stacione metroje.


 

Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell thotë se mbështet pa rezerva vendimin e Presidentit Bush për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Sekretari Powell i bëri komentet dje, pas daljes në qarkullim të librit “Plani i sulmit”, i shkruar nga ndihmës kryeredaktori i gazetës “Uashington Post”, Bob Woodward. Zoti Powell hedh poshtë aludimet e zotit Woodwards se presidenti kishte vendosur që në janar të vitit të kaluar për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak, ndërkohë që ende vazhdonin negociatat në Këshillin e Sigurimit. Sekretari Powell hodhi poshtë edhe pohimin e zotit Woodward, se aktualisht marrëdhëniet e tij me nënpresidentin janë shumë të ftohta.

Për Shtëpinë e Bardhë dje ishte një ditë mohimesh, pas aludimeve të bëra në librin e zotit Bob Woordward, “Plani i Sulmit”. Autori e përshkruan administratën si të përçarë rreth çështjes së luftës në Irak. Sipas tij, Sekretari Powell qendronte në krye të atyre që e kundërshtonin planin.

“Ai kishte rezerva të mëdha ndaj luftës dhe e kishte paralajmëruar presidentin se Iraku mund t’i mbetej në dorë”,- thotë Woodward.

Autori thotë se zoti Powell ishte lënë i painformuar, aq sa Presidenti as që i kishte kërkuar mendim për ndërhyrjen në Irak, pohim që Sekretari i Shtetit e mohon.

“Kur Presidenti vendosi se ne do të na duhej të ndiqnim rrugën e veprimit ushtarak, kjo ishte një rrugë që unë e dija se do të vinte dhe unë isha po aq i angazhuar sa edhe të tjerët që ai regjim të merrte fund”- thotë zoti Powell.

Zoti Powell ve gjithashtu në pikëpyetje pohimin e zotit Woodward se ambasadori saudit në Uashington, Princi Bandar, kishte dijeni për planin e luftës përpara zotit Powell.

“Unë isha në dijeni të hollësishme rreth planit, dija edhe se Princi Bandar ishte informuar rreth planit”, thotë Sekretari i Shtetit.

Por ndoshta akuza më e rëndë që bëhet në libër është ajo për një ujdi, që sipas autorit kishte bërë Princi Bandar dhe Presidenti Bush për të ulur çmimet e naftës në prag të zgjedhjeve të nëntorit.

Por debatet më të shumta që ka ngjallur libri kanë të bëjnë me zotin Powell.

“Colin Powell shfrytëzoi personalitetin e tij ndërkombëtar për të reklamuar politikat e nënpresidentit Cheney në botë. Nuk e di se përse ka qenë aq i gatshëm ta bëjë këtë, por ky është realiteti”, -shpjegon Fareed Zakaria, i revistës “Newsweek International”.

Zoti Powell i ka hedhur poshtë ato që thuhen në libër se ai dhe zoti Cheney i kanë ftohur marrëdhëniet dhe flasin rrallë me njëri-tjetrin. Ai tha se me nënpresidentin janë miq të mirë që prej 20 vjetësh dhe se kohët e fundit kanë patur tre biseda të gjata në përgatitje për vizitën e zotit Cheney në Azi.

Artikulli paraprakTë drejtat individuale të pacientit
Artikulli vijuesLufta e ftohtë