Po afrohet Parada gay në Shqipëri

Aktivitetet që priten të mbahen në datë 17 maj, në ditën botërore kinse kundër Homofobisë, do të shoqërohen me masa të rrepta sigurie. Shumë prej ambienteve ku do të zhvillohen këto aktivitete do të ‘blindohen’ në mënyrë që të mos krijohen incidente. Masat që janë marrë nga shoqatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT (gay, lesbike, biseksual dhe transgjinor) kanë ardhur për shkak të debateve të forta që nisën në lidhje me zhvillimin e një parade gay në Tiranë. Veç policisë private, kryetarët e këtyre shoqatave kanë zhvilluar edhe një takim me drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe u kanë kërkuar mbështetjen e policisë bashkiake për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve. Sipas Kristi Pinderit, kryetarit të shoqatës ‘Pro LGBT’ masat e forta po merren pasi në rrjetet sociale janë hapur shumë faqe ku shprehet qartazi dhuna për komunitetin LGBT dhe për festimet e datës 17 maj. Një prej faqeve të hapura së fundi në Facebook, ku është publikuar një armë e tipit kallashnikov thuhet se “Kemi kohë që e kemi harruar, por do të na duhet në 17 maj”.

MASAT

Në kuadër të 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare Kun-dër Homofobisë, Aleanca Kundër Diskriminimit dhe Të Bashkuar Pro kauzës LGBT (Pro LGBT) do të zhvillojnë një seri aktivitetesh publike për të promovuar të drejtat e komunitetit LGBT dhe për të informuar publikun mbi pasojat e homofobisë në një shoqëri që kërkon të çlirohet nga paragjykimet, urrejtja dhe stereotipet. “Përmes këtyre eventeve ne do të promovojmë respektin dhe dashurinë për të gjithë njerëzit sepse historia akoma e patreguar e komunitetit LGBT në Shqipëri është zhvilluar vetëm falë dashurisë dhe sakrificave, e kësisoj është një histori jo vetëm vuajtjeje, shtypjeje dhe kriminalizimi, por mbi të gjitha është një histori dashurie”, – ka theksuar kryetari i shoqatës Pro LGBT, Kristi Pinderi.

Sipas tij, aktivitetet që do të zhvillohen do të jenë të hapura për median, por duhet që më parë të bëhet akreditimi i tyre. Ku një prej arsyeve që kërkohet të bëhet kjo gjë është për të pasur një siguri sa më të madhe gjatë zhvillimit të ekspozitës me fotografi nga jeta e çifteve shqiptare gay, apo lesbike por edhe në aktivitete të tjera që do mbahen gjatë kësaj dite. Ku midis të tjerave do të jetë dhe një koncert me muzikë rock. Ndërkohë që, gjatë gjithë javës së dytë të muajit maj do të zhvillohen edhe orë leksionesh nëpër universitetet si te Shkencat Sociale dhe te departamenti i Gazetarisë në lidhje me njohjen e problematikave të komunitetit LGBT si dhe të problemeve që vinë nga homofobia.
Por, për të pasur një siguri sa më të madhe në datën 17 maj, mësohet se veç prezencës së policisë private, shoqatat që mbrojnë të drejtat e LGBT, kanë zhvilluar takime me nënkryetarin e bashkisë së Tiranës Edmond Panariti, i cili ju ka premtuar se Bashkia do t’i ofrojë ndihmë me anën e policisë bashkiake për mbarëvajtjen e aktiviteteve të parashikuara në këtë ditë./BS/kohaislame

Artikulli paraprakPërfitimet shëndetësore nga sallata e gjelbër
Artikulli vijuesPsikologjia e urrejtjes