“Për krizën siriane nuk ka zgjidhje tjetër pos forcimit të strukturave qeveritare dhe që t’i ndihmojmë ato në luftën kundër terrorizmit”, thotë Vladimir Putin, i cili të hënën do të takohet me homologun e tij amerikan, Barack Obama, në New York.
Një deklaratë mbështetëse që s’ka si të jetë më e qartë. Vladimir Putin ka treguar më shumë se kurrë besnikërinë e tij ndaj regjimit të Bashar al-Assadit gjatë një interviste për kanalin amerikan “CBS”, e cila e plotë do të transmetohet të dielën. I pyetur nga gazetari i emisionit “60 Minutes” nëse rritja e pranisë ushtarake ruse në Siri synon “ta shpëtojë” Bashar al-Assadin, shefi i Kremlinit përgjigjet: “Po, keni të drejtë”.
“Besoj fuqishëm se të gjitha veprimet që shkojnë në drejtim tjetër – që synojnë shkatërrimin e qeverisë legjitime të Damaskut – do të krijojnë një situatë të cilën tashmë e kemi parë në vende të tjera të rajonit ose në rajone të tjera, për shembull në Libi dhe në Irak, ku të gjitha institucionet shtetërore janë shpërbërë”, arsyeton Vladimir Putin.
“Për krizën siriane nuk ka zgjidhje tjetër pos forcimit të strukturave qeveritare dhe që t’i ndihmojmë ato në luftën kundër terrorizmit”, thotë ai, duke aluduar në luftën kundër grupit “Shteti Islam” (ISIS). “Në të njëjtën kohë, duhet inkurajuar Damaskun të reformohet dhe të nisë dialogun me një opozitë konstruktive dhe të arsyeshme”.
Për SHBA-në, Assad “një bast i humbur”
Kjo deklaratë e re nga shefi i Kremlinit është dhënë pak para nisjes së tij për në New York, ku të hënën do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ndër të tjera, Putin do të zhvillojë një takim edhe me presidentin amerikan, Barack Obama.
Shtetet e Bashkuara janë të brengosura që prej dy javësh nga synimet ushtarake të Moskës në Siri. Sipas Washingtonit, forcat ruse janë duke ndërtuar një bazë të madhe ajrore në provincën e Latakias, një çerdhe e Bashar al-Assadit. Së paku 28 avionë luftarakë rusë janë vendosur aty. Rusët, deri më tani në Siri kishin vetëm një bazë detare në Tartus.
Një këshilltare e Shtëpisë së Bardhë ka thënë se kur të takohen të hënën, presidenti Obama do të përpiqet të kuptojë nga homologu i tij se në ç’mënyrë prania ushtarake ruse do të kontribuojë në shkatërrimin e ISIS-it. “Argumenti i Moskës sipas të cilit një forcim i pranisë ushtarake ruse në rajon do të kontribuojë në frenimin e xhihadistëve të ‘Shtetit Islam’ është vërtetë i paqëndrueshëm”, ka shtuar ajo.
Ky takim ndodh ndërkohë që Moska ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po tregohen gjithnjë e më mirëkuptuese rreth pikëpamjeve të saj rreth konfliktit sirian, diçka që është kontestuar nga Washingtoni, i cili vlerëson se Bashar el-Assad është një “bast i humbur”.
Rouhani: Irani s’bën koalicion me Rusinë
Ndërkohë, të premten, presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka bërë të ditur se Teherani nuk do të përfshihet në koalicion me Rusinë në luftën kundër militantëve të “Shtetit Islam”, në Lindjen e Mesme, duke përmendur gjithashtu edhe faktin se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë përmirësuar, megjithëse “ka ende rrugë për të bërë”, transmeton gazeta Zëri.
Duke folur përmes një përkthyesi, Rouhani tha se presidenti rus Vladimir Putin i kishte thënë atij personalisht se Moska dëshiron të luajë një rol më aktiv në luftën kundër grupit ekstremist në rajon. “Nuk shoh ndonjë koalicion mes Iranit dhe Rusisë për të luftuar terrorizmin në Siri”, tha Rouhani, i cili ndodhet në New York për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, drejtuar disa prej përfaqësuesve të medias ndërkombëtare dhe organizatave të ndryshme.
Ai theksoi përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Iran, por u tregua i kujdesshëm kur tha se ende nuk është e qartë se në ç’periudhë kohore marrëdhëniet mes dy kombeve armike prej një kohe të gjatë do të kthehen në normalitet. – Situata ka ndryshuar, sigurisht – tha Rouhani. – Ne mund të nxjerrim pika të prekshme, apo hapat e shumtë përpara që kemi bërë, por kemi ende rrugë për të ndjekur.
Ai e përshkroi marrëveshjen historike bërthamore, të nënshkruar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës, si një “test të madh” për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Iranit, gjithsesi këtu u ndal të theksonte sesa e rëndësishme ishte të krijohej një atmosferë besimi mes tyre.
Implementimi i marrëveshjes bërthamore të 14 korrikut, që do të heqë sanksionet e rënda ekonomike ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të programit bërthamor të Teheranit, pritet të nisë nga nëntori apo dhjetori i këtij viti. “Tashmë janë pjekur kushtet për këtë gjë”, tha Rouhani. /Zëri/