FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
13/04/2015
Bismilahi Rrahmani Rrahim
NJOFTIM
Pas fillimit të vitit shkollor 2014-2015 në adresë të Forumit Musliman të Shqipërisë erdhi një ankesë nga nxënësja J.R. e shkollës së mesme të përgjithshme “Muharrem Çollaku” Pogradec, e cila ishte ndaluar të merrte pjesë në procesin mësimor për shkak të mbajtjes së mbulesës islame. Forumi Musliman i Shqipërisë pas kontaktimit me Drejtorinë e Shkollës dhe refuzimit nga ana e saj për pranimin e vajzës në mësim iu drejtua Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Pas një seance dëgjimore në zyrat e Komisionerit, në prani të palëve të interesuara, Komisioneri doli me Vendimin nr. 14, dt. 29/01/2015, ku konstatoi diskriminimin e drejtpërdrejt për shkak të bindjeve fetare të nxënëses J.R., si dhe e detyroi Drejtorinë Arsimore Korçë dhe Drejtorinë e Shkollës së Mesme Muharrem Çollaku Pogradec të ndalojë sjelljet diskriminuese ndaj nxënëses J.R., dhe pranimin e saj të menjëhershëm në shkollë. Në përgjigje të këtij vendimi Drejtoria e Shkollës në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Pogradec dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale Korçë e njoftojnë nxënësen J.R. për fillimin e procesit mësimor. Forumi Musliman i Shqipërisë i përshëndet përpjekjet dhe vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi znj. Irma Baraku dhe të stafit të saj. Gjithashtu falënderojmë për kontributin e dhënë edhe avokatin Genti Malçellari.
Forumi Musliman i Shqipërisë
www.fmsh-al.org