Tridhjetë refugjatë në kampin Idomeni në Greqi janë lënduar fizikisht nga polica maqedonase, për shkak se kanë tentuar ilegalisht të kalojnë kufirin në Maqedoni, transmetojnë mediat greke informacionet nga vullnetarët e organizatës “Mjekët Pa Kufij”.
Përfaqësuesi i organizatës ka theksuar se 33 persona nga vende të ndryshme, të moshës prej 17-29 vjeç, të shtunën kanë tentuar ilegalisht të hyjnë në Maqedoni. Siç kanë deklaruar, ata kanë qenë të sulmuar dhe të rrahur nga polica e Maqedonisë. Refugjatët pohojnë se gjatë sulmit ua kanë marrë të gjitha paratë dhe sendet me vlerë që kanë pasur me vete.
Nga MPB-ja maqedonase thonë se aktualisht nuk kanë informacione për incidentin. Ata thonë se edhe deri më tani herë-herë ka pasur spekulime të këtij lloj të cilat i shpalosin organizatat humanitare, dhe që MPB-ja i demanton.
“Nëse ka dëshmi për ndonjë rast të këtillë ato duhet të dorëzohen që t’i kontrollojmë dhe të marrim masat e duhura”, janë përgjigjur nga MPB-ja.
Natën e kaluar në kamp u vërejtën dhe u denoncuan incidente të ndryshme me dhunë fizike ndërmjet vetë refugjatëve, për shkak të konfrontimeve për ushqim dhe sulmeve të refugjatëve të kombësive të ndryshme.