Policisë së Kosovës i shtohen 19 majorë dhe 64 kapitenë

Policia e Kosovës në një ceremoni solemne ka bërë gradimin e 19 majorëve dhe 64 kapitenëve, duke vazhduar kështu realizimin e objektivave policore në ngritjen, zhvillimin dhe profesionalizimin e stafit policor.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, me këtë rast ka, ka bërë të ditur se kjo ceremoni e gradimit është e dyta me radhë, pas ndërprerjes së këtij procesi gjashtë vite më parë dhe se, sipas tij, avancimi dhe gradimi i stafit policor do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ky proces ka qenë i bllokuar për 6 vjet dhe nuk ka pas gradime të oficerëve. Por me angazhimin e menaxhmentit të lartë të policisë dhe përkrahjen e pa rezervë të ministrisë, por edhe të qeverisë ky proces ka filluar vitin e kaluar, me ç’rast kemi pas gradimin e 16 nënkolonelëve, është vazhduar me fazën e dytë. Prandaj, sot kemi gradimin e 19 majorëve dhe 64 kapitenëve. Do të vazhdohet me gradimin e togerëve dhe më vonë edhe të rreshterëve”, është shprehur ai, transmeton KP.

Ministri Rexhepi, nga policët e graduar ka kërkuar që njohuritë teorike t’i arsyetojnë me punë profesionale në Policinë e Kosovës.

Ai ka shtuar se ky gradim i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, do të jetë një motivim për gjeneratat e reja të policisë që përmes punës së tyre të promovohen.

Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, duke folur për policët e graduar ka shprehur bindjen se trajnimet e vijuara për gradat përkatëse do t’u shërbejnë atyre që me sukses të ballafaqohen me të gjitha sfidat dhe detyrat e reja në nivele të ndryshme të komandimit dhe menaxhimit

“Pos qasjes strategjike Policia e Kosovës një vëmendje të veçantë i ka kushtuar përgatitjes dhe aftësimit të kuadrove udhëheqëse si një faktor mjaftë i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave, misionit dhe vizionit përmes të udhëhequrit modern dhe profesional. Trajnimi i vijuar për gradën përkatëse në të cilën ju me meritë sot do të promovoheni do t’ju shërbejë juve dhe Policisë së Kosovës që me sukses të ballafaqoheni me të gjitha sfidat dhe detyrat tuaja të reja në nivele të ndryshme të komandimit dhe menaxhimit”, ka thënë ai.

Policët e graduar shprehen se certifikatat e dhëna do të jenë motiv tjetër shtytës drejt avancimit të tyre profesional.kohaislame

Artikulli paraprakNikolic: Nuk kemi qenë kurrë pranë një marrëveshjeje me Prishtinën, por prap jemi optimistë
Artikulli vijuesKërcitja e dhëmbëve natën