Politika e Rusisë ndaj Sirisë në qorrsokak

Ndonëse vala e luftimeve po zhvendoset në disavantazh për presidentin sirian Assad, qeveria ende ka mbështetjen e Rusisë, si dhe të Kinës e Iranit. Cilat janë arsyet?
Zëvendësministri i jashtëm rus Mikhail Bogdanov nisi një “stuhi” spekulimesh këtë javë, kur tha se forcat opozitare mund të fitojnë luftën civile siriane. Kjo vërejtje, për të cilën Shtetet e Bashkuara menduan se ishte një shenjë se Rusia “po zgjohej dhe po përballej me realitetin” mbi situatën në Siri, ishte orkestruar nga ministria e Jashtme. “Ne nuk e kemi ndryshuar dhe nuk do ta ndryshojmë kurrë pozicionin tonë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Alexander Lukashevich.
Që nga nisja e luftimeve ndërmjet trupave qeveritare siriane dhe forcave opozitare, Rusia ka qenë mes aleatëve më besnikë të presidentit Bashar Assad. Si një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Moska ka qenë në gjendje të bllokojë rezolutat që lidheshin me regjimin e Assadit. Edhe pse shumë pak kanë dëshirën për ta pranuar, vështirë se kushdo në Rusi beson se Assadi do të qëndrojë në pushtet. “Rusia nuk po mbron regjimin e Assadit, por ligjin ndërkombëtar,” tha Alexi Borisov, nënkryteari i Shoqatës së Kombeve të Bashkuara në Rusi. Ai shtoi se Moska mbron parimin ndërkombëtar që të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme dhe integritetin territorial të shteteve të tjera.
Shpërthimi i luftës civile në Siri e gjeti Rusinë të papërgatitur, mendon Gerhard Mangott, profesor i shkencave politike në Universitetin e Insbrukut. “Fillimisht Rusia e nënvlerësoi konfliktin,” i tha ai DW. “Kur përpjekjet për negociata nisën me një mendim për të mbajtur Assadin në pushtet, ishte thuajse shumë vonë për të gjetur një kompromis mes opozitës dhe Assadit. Por Rusia e ndjek ende këtë politikë, sepse në atë kohë ishte e qartë se me Assadin fiton, dhe pa Assadin humbet.”

Shitja e armëve drejt Sirisë, manovër tregtare
Shpeshherë, ekspertët në Perëndim e kanë theksuar shitjen e armëve ruse në Siri, si shkakun pëse Moska mbështet Damaskun. Por ky argument nuk qëndron, thotë Mangott, sepse Siria nuk është në gjendje t’i paguajë për armët që merr nga Rusia. Edhe pse nuk ia ka vlejtur financiarisht, duke i siguruar armë trupave qeveritare siriane Rusia synon t’u tregojë blerësve potencialë të armatimeve, se teknologjia ushtarake e saj është ende efektive.
Por Fyodor Lukyanov, kryeredaktor i gazetës ruse “Russia in Global Affairs,” (Rusia në çështjet botërore) shkruan se humbja e parave mund të jetë një ndër problemet më të vogla të Rusisë, përsa i takon politikës së saj të shitjes së armëve. “Kontratat për miliona dollarë tingëllojnë mirë,” shkroi ai. “Por është thjesht biznes dhe asgjë më shumë. Duke marrë një rast, për shembull, që të rrezikojë një përplasje të re me SHBA dhe Evropën, me të cilat bashkëpunimi është i nevojshëm në fusha të tjera. Thjesht nuk ia vlen.”

Pas Sirisë vijnë Irani, Rusia dhe Kina
Megjithatë, ekspertë të tjerë rusë paralajmërojnë se përhapja e revolucioneve arabe, për të cilat thonë se janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, paraqet një kërcënim për shtete të tjera, duke përfshirë Rusinë. Oleg Ivannikov, drejtor i Qendrës Kërkimore Rusi-Kaukaz, thotë se çdo shtet mund ta gjejë veten në pozitat e Sirisë. Ai shkraoi një artikull për agjencinë e lajmeve ruse Rex, të titulluar “Egjipti, Libia, Siria. A janë Irani, Rusia dhe Kina shtetet e radhës?”
Këto janë “makthe” të bazuara në konceptet mbi armiqtë, tek të cilat studiuesit e shkencave politike ruse vazhdojnë të mbështeten, thotë Mangott. “Rusia është një kalibër ndryshe nga Libia dhe Siria,” thotë ai. “Rusia nuk mund të vihet nën presion. Askush nuk e merr seriozisht këtë të ashtuquajtur reaksion zinxhir, që përfundon me Kinën duke u kërcënuar ushtarakisht nga një shtet i huaj, ku ka një ndërhyrje të jashtme ushtarake në Kaukazin Verior si një mënyrë për “të mbrojtur të drejtat e njeriut.”
Gerhard Mangott, profesor i shkencave politike në Universitetin e Insbrukut
Planet ruse për evakuim
Borisov thotë gjithashtu se atij i duken të ekzagjeruara teoritë e konspiracionit. “Të ashtuquajturit ekspertë po shkojnë shumë larg,” tha ai për DW. “Ata janë thjesht të interesuar që të tërheqin vëmendjen. E vërteta është se SHBA dhe Federata Ruse kanë më tepër qëllime të përbashkëta, se dallime.”
Megjithatë Rusia ka pak mundësi zgjedhjeje për t’i luajtur kartat e saj deri në fund dhe për të vijuar të mbështesë forcat qeveritare siriane, nëse për ndonjë arsye tjetër nuk do ta mbajë veten larg nga të qenit e reshtuar në skenën ndërkombëtare, thotë Lukyanov. Moska gjithashtu duket se e di fundin e të gjithë kësaj situate: ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov lajmëroi se planet e detajuara për evakuimin nga Siria të diplomatëve dhe shtetasve të tjerë rusë mund ta çojnë qeverinë në një kolaps./DW

Artikulli paraprakFenomeni “mobile malware” do të përkeqësohet në vitin 2013
Artikulli vijuesKMDLNJ: Veprimet e Zharkut po diskreditojnë gjykatat