Të ashtuquajturat Dokumente të Panamasë, përfshijnë rrjedhjen e më shumë se 11,5 milionë dokumenteve nga një firmë ligjore panameze.
Këto dokumente, që po publikohen nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, zbulojnë një anë të palavdishme të sistemit financiar global – ku elita botërore fsheh paratë për të mbetur anonime ose për të shmangur taksat. Disa analistë thonë se nuk ka asgjë të paligjshme të fshehësh para në llogari të tilla, por sipas disa të tjerëve, mungesa e transparencës dhe e kontrollit në shumë vende që shërbejnë si parajsa fiskale, shoqërohet me një çmim të rëndë – veçanërisht për vendet, të cilave u duhen fonde për zhvillim.
Studimet e reja tregojnë se llogaritë bankare në parajsat fiskale i heqin më shumë se 1.1 trilion dollarë sistemit financiar global. Vendet me rritje të shpejtë, ku përpjekjet për çrrënjosjen e varfërisë mbështeten në miliarda dollarë fonde të siguruara nga taksat dhe nga ndihmat ndërkombëtare, janë shpesh humbësit më të mëdhenj. Tom Cardamone është drejtor i firmës Global Financial Integrity, e cila gjurmon qarkullimin e paligjshëm të parave:
“Kjo është shumë më tepër se të gjitha ndihmat dhe investimet e huaja që shkojnë çdo vit në këto vende. Pra, është një problem me rëndësi kritike.”
Wikipedia rendit 82 vende që shihen si parajsa fiskale, nga Zvicra në Panama dhe shumë vende të Karaibeve. Ato janë tërheqëse për shkak se ofrojnë llogari anonime me pak ose aspak detyrime tatimore – gjithçka në mënyrë të ligjshme.
“Kur fsheh emrin e atij që në fakt zotëron një kompani ose një llogari bankare, pikërisht aty fillojnë edhe problemet,” – thotë Cardamone.
Llogaritë në parajsat fiskale mund të bëhen mbulesë për trafikantët e drogës dhe terroristët. Një kompani e zbuluar nga gazetarët ishte një korporatë fiktive, e krijuar për të kryer marrëveshje biznesi anonime. Gazetari Will Fitzgibbon thotë se kjo kompani u përmend më vonë nga qeveria amerikane se furnizonte forcat ajrore siriane me naftë që përdorej në bombat thërrmuese për të sulmuar civilët:
“Pra, fakti që kjo kompani lejohej të kishte llogari në parajsa fiskale ishte për mua një shembull mjaft i zymtë të asaj se si këto dy botë, e viktimave dhe e parajsës fiskale takohen me njëra tjetrën.”- thotë zoti Cardaone.
Praktika e fshehjes së pasurive nëpërmjet llogarive anonime është më e përhapur se sa mund të mendohet. Në dy shtete amerikane, Nevada dhe Delaware, është regjistruar numri më i madh i korporatave anonime në vend.
“Jo, as ne nuk jemi të pafajshëm. SHBA përbëjnë juridiksionin e dytë më të madh ku ndodhin gjëra të tilla. Rreth një milion apo më shumë kompani private të fshehta themelohen çdo vit në SHBA. Është një problem i mprehtë jo vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në Amerikë.”
Zoti Cardamone thotë se hapja e llogarive anonime në parajsa fiskale kërkon vetëm njohuri bazë të biznesit, një lidhje interneti dhe një tarifë minimale. Ai është optimist, por jo shumë, se Dokumentet e Panamasë do ta rrisin trysninë për t’i bërë këto lloj aktivitetesh më transparente dhe më të përgjegjshme.kohaislame