Obligimi kushtetues i presidentit për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare konsiderohet sfidë për të parin e Shtetit, Hashim Thaçi.
Bojkoti nga shumë liderë shtetesh mike në ceremoninë e inaugurimit konsiderohet si dëshmi për “izolimin” e Thaçit
Imazhi i tij negativ, dyshimet që e përmendin në raporte ndërkombëtare, skandalet që e kanë përcjellë gjatë karrierës së tij politike do t’ia vështirësojnë përfaqësimin e Kosovës jashtë saj presidentit të ri, Hashim Thaçi.
Sfidë kryesore pos pamundësisë për t’i ulur në një tryezë pozitën dhe opozitën ai do ta ketë edhe përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.
Dështimet si udhëheqës i ekzekutivit, më pas edhe si ministër I Punëve të Jashtme, në sjelljen e njohjeve të reja, liberalizim të vizave, UNESCO-ja etj., janë sinjale të mjaftueshme se Thaçi nuk është i pranuar ndërkombëtarisht.
Përfaqësuesit e subjekteve opozitare dhe analistët politikë në vend thonë se mospërkrahja e liderëve perëndimorë ndaj Thaçit u pa edhe në ceremonies glamuroze të inaugurimit të tij.
Në rreth një vit e gjysmë, sa ishte në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka arritur t’ia sjellë Kosovës njohjen nga vetëm dy shtete: Antigua e Barbuda, si dhe Niue (shtet joanëtar i OKB-së).
Megjithatë, në fjalimin e tij të parë në postin e presidentit Hashim Thaçi ka thënë se në mesin e katër prioriteteve të tij do të jetë afirmimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Do të luaj rol kushtetues në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rrafshin politik, diplomatik dhe atë social. Unë jam i obliguar nga qytetarët tanë që ta ruaj si sytë e ballit miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmoj Kuvendit dhe Qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB”, është shprehur Thaçi në ceremoninë e inaugurimit të tij në postin e presidentit të vendit.
Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se Thaçi ka dështuar në sjelljen e njohjeve edhe në takime me liderë të vendeve të rëndësishme sa ishte kryediplomat, prandaj sipas Haxhiut, Thaçi nuk është i denjë ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Derisa Thaçi ka dështuar si ministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme si me njohje, ashtu edhe me takime me burrështetas të vendeve të rëndësishme, ne i kemi dilemat tona se nuk është i denjë ta përfaqësojë Kosovën, siç u dëshmua edhe dje që me gjithë ftesat e shumta që kishte dërguar pak zyrtarë të lartë të vendeve të tjera erdhën e në mesin e tyre ishin vetëm dy presidentë të shteteve të rajonit”, ka potencuar Haxhiu.
Madje, ajo ka thënë se Thaçi nuk do të mundë as për së afërmi me ish-presidenten, Atifete Jahjaga, të kryejë detyrën e të parit të Shtetit.
“Nuk pritet që ta përfaqësojë Kosovën as për së afërmi si ish-presidentja Atifete Jahjaga. Atë e kemi kritikuar shumë herë për çështje të brendshme, pasi nuk e ka kryer detyrën si duhet, por në përfaqësimin jashtë vendit ka qenë ndryshe, pasi është pritur dhe e ka përfaqësuar Kosovën mirë”, ka shtuar Haxhiu.
Edhe sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se Thaçi do të dështojë edhe në këtë mision, ashtu siç, sipas tij, ka dështuar edhe në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme dhe në atë të kryeministrit.
“Ky është ai Hashim Thaçi, i cili e drejtoi Qeverinë në dy mandate dhe më pas ishte edhe ministër i Punëve të Jashtme dhe dihet se në të dyja këto detyra ka dështuar, prandaj as në postin e presidentit nuk mund të pritet diçka më mirë”, ka theksuar Sherifi.
Kurse profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se Thaçi për të përmirësuar imazhin e tij, por edhe për të përafruar raportet me shtetet mike të Kosovës ka ftuar shumë zyrtarë të lartë të shteteve perëndimore e që pavarësisht ftesave të shumta të paktë ishin zyrtarët e lartë të shteteve mike që morën pjesë.
Sipas Burjanit, përmendja e Thaçit në Raportin e Dick Martit e ka dëmtuar imazhin edhe të Thaçit, edhe të Kosovës.
“Përmendja e tij në Raportin e Dick Martit nuk është aspak pozitive as për imazhin ndërkombëtar. Edhe pse ende nuk ka filluar punën Gjykata Speciale, Thaçi mund të thirret së paku në cilësinë e dëshmitarit nga prokuroria ndërkombëtare”, ka shtuar Burjani, duke thënë se kjo do ta dëmtonte edhe më shumë imazhin ndërkombëtar të vendit.
Më tej ai ka thënë se shtetet perëndimore e kanë konsideruar Thaçin si partnerë për përmbylljen e disa proceseve të rëndësishme, megjithatë, sipas Burjanit, me Raportin e Dick Martit është zbehur kredibiliteti i Thaçit.
“Zbehja e kredibilitetit të tij është bërë nga Raporti i Dick Martit, përndryshe Perëndimi deri më tash Thaçin e ka parë si partner për të përmbushur dhe përmbyllur gati të gjitha temat për Kosovën”, ka potencuar Burjani.zeri/kohaislame