Presidenti i ri i Italisë, mbështetës i pavarësisë së Kosovës

0
252

Presidenti i sapozgjedhur i Italisë, Sergio Mattarella, është një mik i shqiptarëve e veçanërisht i Kosovës.

 

Përfshirja e tij në luftën e Kosovës, si ministër i Mbrojtjes dhe si zëvendëskryeministër i Italisë më 1999, pa hezitim në krah të SHBA-ve dhe NATO-s për të ndalur spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës është një gurthemeli në marrëdhënie shqiptaro-italiane.

 

Në fakt, kjo sjellje e ministrit Sergio Mattarella do t’u pëlqente shumë amerikanëve dhe do të fitonte besimin e tyre.

 

Në një komunikim të datës 24 mars të 1999, që zëvendëskryeministri Matarela i jep Parlamentit dhe Senatit italian për ndërhyrjen e Aleancës në Kosovës, thuhet:

 

“Ne jemi përballë një dhunimi të rëndë të drejtave të të njeriut, të verifikuara nga Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit”, prandaj, “ E drejta ndërkombëtare e njeh precedentin e ndërhyrjes për arsye humanitare. Aksioni që NATO ka deklaruar dhe parashikuar vjen posaçërisht nga sjellja kundër të drejtave të njeriut nga qeveria e Millosheviqit”.

 

Po kështu, në një shkrim të bërë me datë 22 shkurt të 2008, pra, pak ditë nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në gazetën ‘Europa’ me titull “Kosova, Pavarësia e vetmja zgjidhje”, Sergio Mattarella ftonte Italinë të njihte pavarësinë e Kosovës, transmeton Zhurnali.

 

“Qeveria Italiane ka qenë më aktivja në Bashkimin Europian për të gjetur një bashkëbisedim mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe ka bashkëpunuar ngushtë për këtë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën.

 

Ndaj do të ishte e papërgjegjshme që të Italia të mos fillonte tani procedurat për njohjen e Kosovës përpara këtyre tre vendeve. Do të ishte e papërgjegjshme të linim ushtarët dhe administratën tonë në Kosovë pa njohur pavarësinë e Kosovës”. Pavarësisht lidhjeve me Shqipërinë dhe Kosovën, Sergio Mattarella është një personalitet i lartë i shtetit Italian, që politikën e ka filluar që në fund të viteve ’70 kur mafia i vrau të vëllain, Piersanti Mattarella. Mattarela ka një karrierë publike 25-vjeçare.

 

Fillimisht jurist dhe profesor universiteti, Matarela erdhi asokohe nga një familje me nivel të lartë. I ati i tij Bernard ka qenë disa herë ministër në Republikën e parë italiane, ndërsa vëllai i tij Piersanti, kryetar i rajonit të Siçilisë u vra nga mafia në vitin 1980 pas një reforme për të vendosur transparencë mbi tenderat publikë. Në vitin 1990 ai ka qenë ministër Arsimi në qeverinë e Andreoti IV.

Kur drejtonte dikasterin e Mbrojtjes, ka arritur atë që shumë përpara tij nuk e kishin bërë dot: heqjen e detyrueshme të shërbimit ushtarak. Si ish-demokristian Mattarella ka edhe një ligj zgjedhor që mban emrin e tij: “Matarellum”.

 

Mes shumë pozicioneve në karrierën e tij të gjatë politike, ai ka qenë disa herë ministër e madje edhe zv.kryeministër në qeverinë e Massimo D’Alema. Në prill të 2008-ës, Mattarella vendosi të largohet nga jeta aktive politike dhe më 5 tetor 2011 zgjidhet nga parlamenti gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

 

Këtë post e ka mbajtur deri në ditën kur është zgjedhur president i Italisë.