Princi Charles: Popujt në Ballkan nuk mund të bëhen peng të historisë

Princi Charles në Prizren shëtiti nëpër “Qendrën Historike” të qytetit dhe vizitoi objektet e të tri besimeve fetare që bashkëjetojnë në Prizren

 

PRISHTINË (AA) – Stacioni i fundit i vizitës në Kosovë për Princin Charles të Uellsit, ishte Prizreni ku ai shkoi për të marrë pjesë në konferencën ndërfetare në Prizren. Me të mbërritur në Prizren, Princi Charles ka bërë një shëti nëpër qendër të Prizrenit, qytetarët e të cilit kishin mbushur rrugët dhe me flamuj në duar kishin dalë për të përshëndetur mysafirin special, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë shëtitjes, Princi Charles vizitoi objektet fetare muslimane, katolike dhe ato ortodokse.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë, Princi Charles foli për kujtimet e tij nga vizita e tij e parë në Kosovë, në vitin 1999, duke ripërsëritur dhe përçuar edhe njëherë mesazhin e tij drejtuar të gjithë popujve dhe feve në Ballkan, për nevojën e pajtimit dhe vendosjes së urave të bashkëpunimit midis tyre. Duke e rikujtuar gjendjen e Kosovës menjëherë pas luftës, Princi i Uellsit përsëriti fjalët që i kishte thënë edhe në Kuvendin e Serbisë se, “popujt në Ballkan nuk mund të lejojnë veten të bëhen peng të historisë”.

Ai nuk fshehu kënaqësinë dhe gëzimin që sot në Prizren takoi qytetarë të etnive dhe feve të ndryshme, por njëkohësisht shprehu dhimbjen dhe brengën për familjarët e personave të pagjeturve, nga të cilët kishte dëgjuar rrëfime të trishtueshme.

“Ajo që kamë dëgjuar sot në Prishtinë më ka thyer zemrën. Dëgjova njerëz që kanë humbur më të dashurit e tyre, e kam fjalën për personat e pagjetur. Do të dëshiroja të bëj më shumë rreth kësaj” tha Princi Charles, duke u shprehur që duhet të bëhet më shumë për të zbardhur fatin e atyre për të cilët nuk dihet asgjë, edhe pas 17 viteve nga përfundimi i luftës.

Lidhur me luftën e fundit në Kosovë, ai kishte folur edhe gjatë vizitës së tij në Beograd dhe tregoi se edhe atyre u ka porositur që, sot njerëzit kanë mundësinë për të rindërtuar urat e bashkëpunimit të qëndrueshëm. “Pajtimi dhe falja, janë kryesoret që shpijnë drejt një të ardhme më të mirë. E kuptoj dhimbjen nëpër të cilën keni kaluar, por duhet të kalohet me ndërtimin e bashkëpunimit”, tha pretenduesi i fronit mbretëror të Mbretërisë së Bashkuar.

Dita e dytë e vizitës së Princit Charles të Uellsit dhe Dukeshës Camilla të Cornwall në Kosovë, kishte filluar me takimin zyrtarë tek Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me të cilin rast ajo e dekoroi Princin Charles me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”. Ndërkohë, gjithë së bashku, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore për të pagjeturit e luftës në Kosovë dhe Princi Charles dhe Dukesha Camilla vendosën lule në Memorialin e Personave të Pagjetur pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Duke treguar respekt dhe nderim për këto viktima, çifti mbretëror u ndal dhe dëgjoi rrëfimet e dhimbshme dhe të trishtueshme të familjarve, lidhur me zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, gjatë luftës në Kosovë.

Për Princin Charles ishte kjo vizita e dytë në Kosovë, pas asaj në vitin 1999, ndërsa për Dukeshën Camilla është hera e parë që do ta vizitojë shtetin më të ri në Evropë.
Shikuar në përgjithësi, Princi i Uellsit deri tani ka vizituar tetë herë Ballkanin Perëndimor, ndërsa Dukesha e Cornwall për herë të parë ka vizituar Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë, pasi që ajo paraprakisht kishte vizituar një herë Bosnjën dhe Hercegovinën, në vitin 2007.

 

Artikulli paraprakAvioni i FlyDubai rrëzohet në Rusi, 62 të vdekur
Artikulli vijuesMinistri Bushati dënon sulmin terrorist në Stamboll