Komuna e Prishtinës ka humbur një donacion të Komisionit Evropian për blerjen e disa traktorëve për ndërmarrjen “Hortikultura”, për arsye se disa herë ka dështuar në përzgjedhjen e një Operatori Ekonomik të përgjegjshëm.
Pasi që Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur fituesin ndër tri kompani konkurrente, kompania “Agribau”, ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili ka kërkuar nga autoritetet komunale rivlerësim të tenderit.
Kjo ka bërë që komuna ta humbasë donacionin e Komisionit Evropian, ndaj tani traktorët do t’i blejë nëse ka buxhet vetjak.
“Paneli shqyrtues lidhur me çështjen e këtij projekti ku, sipas përfaqësuesit të AK – Komuna e Prishtinës dhe Komisionit Evropian, i cili ishte edhe menaxher i projektit në seancën dëgjimore, deklaroi se ky donacion është i dështuar dhe i përfunduar pa sukses për arsye të dështimit disa herë në përzgjedhjen e Operatorit Ekonomik të përgjegjshëm nga ana e Autoritetit Kontraktues-Komuna e Prishtinës, dhe nëse komuna ka buxhet për blerje atëherë ajo është tjetër gjë, por jo nga ky donacion”, thuhet në dokumentin e OSHP-së.
Madje, Paneli Shqyrtues i OSHP-së, lidhur me këtë projekt, Komunën e Prishtinës e ka cilësuar të papërgjegjshme.
“Për panelin shqyrtues mbetet përgjegjësi e Komunës së Prishtinës nëse ka buxhet për përfundimin e këtij aktivitetit të prokurimit pas humbjes së këtij donacioni nga Komisioni Evropian”, thuhet më tutje në dokument.
Në arsyetimin e Panelit Shqyrtues, thuhet se pasi që Komuna e Prishtinës ka publikuar njoftim për kontratë, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me traktorë bujqësorë për ndërmarrjen ‘Hortikultura’ për nevojat e parkut Gërmia”, si kriter për dhënien e kontratës ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.
Për këtë aktivitet të prokurimit kanë ofertuar 3 operatorë ekonomikë, prej të cilëve sipas komisionit vlerësues vetëm një operator ekonomik, ka ofruar ofertë të përgjegjshme.
“Agribau”, në ankesën që ka dërguar në OSHP, pretendon se Komuna e Prishtinës gjatë procedurave nuk ka respektuar ligjin.
Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka anuluar aktivitetin e prokurimit lidhur me këtë tender. Ndërkaq, OSHP-ja ka urdhëruar Komunën e Prishtinës, që procedurën e prokurimit ta kthejë në rivlerësim.
Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë asnjë informatë sa i përket kësaj çështjeje. Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk është i informuar për këtë çështje. kohaislame