Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë përveç qytetarëve të saj, kanë ardhur edhe qytetarë të shumtë të komunave tjera si dhe nga Shqipëria e Maqedonia
Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë sot me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë ka një atmosferë festive, ku qytetarë të shumtë kanë dalur që ta presin këtë ditë të veçantë në sheshet e Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kryeqytet përveç qytetarëve të saj, kanë ardhur edhe qytetarë të shumtë të komunave tjera, si dhe nga Shqipëria e Maqedonia. Në rrugët e saj shihet një numër i madh flamujsh të Kosovës kaltër dhe verdhë, ndërkaq në duart e qytetarëve edhe flamuri kombëtar shqiptar, kuq e zi.
Muharrem Neziri, një prishtinas i cili po i ndjek studimet e tij mastër në Austri për AA u shpreh se ndihet i lumtur dhe krenar për këtë ditë feste. Ai e sheh Kosovën si një fëmijë nëntë vjeçar i cili rritet dhe zhvillohet.
“Gjendja aktuale është pozitive për Kosovën, por gjithmonë duhet të mendojmë përpara dhe t’i kemi kushtet më të mira si në rajon, në Kroaci, Slloveni dhe në Evropë”, tha Neziri.
Sipas tij, ambasadorët më të mirë të Kosovës janë sportistët dhe artistët me famë botërore, siç është Majlinda Kelmendi e cila fitoi medaljen e artë vitin e kaluar në Brazil, si dhe këngëtarët e suksesshme si Rita Ora dhe Dua Lipa që kanë një karrierë të suksesshme në botë.
Violeta Ahmeti thekson se Dita e Pavarësisë është një ditë e rëndësishme për të gjithë kosovarët të cilët përjetuan ditë të vështira për ta arritur këtë sukses. Ajo vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe 9 vjeçare Kosova ka arritur shumë, por që kjo nuk është e mjaftueshme.
“Kosova nuk është aty ku do të donim ne sepse ne që jemi gjeneratat pak më të vjetra kemi kaluar nëpër periudhat e ndërtimit të shtetit, mirëpo edhe në periudhat e ballafaqimit me faktorin serb. Unë kam qenë edhe aktiviste dhe kam parë nga afër çfarë do të thotë të luftosh për të drejtat e tua dhe të diskriminohesh nga një okupator shumë brutal dhe i rëndë”, tha Ahmeti.
Isuf Zabeli, duke uruar festën e Pavarësisë, tha se ndihet i lumtur për këtë ditë të veçantë. “Jemi shumë të gëzuar, kemi pak hidhërim por pa viktima nuk ishte fituar liria, por nuk e kemi dert këtë. E gëzuam dhe e gëzofshim të gjithë”, tha Zabeli.
Kurse Fidan Mehmeti, tha se edhe pse Kosova ka ende probleme, me rëndësi është që tani jetojnë në liri. “Është kënaqësi që shohim kaq njerëz duke festuar, megjithëse me shumë probleme ky shtet, përsëri jemi të lumtur që e kemi”.
Ndërkaq, për nder të kësaj feste skulptura e njohur “New Born”, e cila ndodhet në qendër të Prishtinës dhe ishte shpalosur në ditën e pavarësisë së Kosovës për këtë vit ka marrë një pamje pak më ndryshe. Shkronjat N dhe W të saj janë të rrëzuar, me nënshkrimin “No walls” (Jo Mure), e cila është mesazh i kundërsthimit të ndërtimeve të mureve ndarëse.
Për këtë ditë edhe autobusët e rinj urban janë lëshuar në qarkullim, të cilët për 9 vjetorin e pavarësisë do të qarkullojnë çdo pesë minuta dhe do të jenë falas për të gjithë.
Me rastin e festës zyrtare të 17 shkurtit, sot, dita e premte është ditë pushimi.