Pritja e Sekretarit Amerikan të Shtetit Kerry në aeroportin “Nënë Tereza”, ka sjellë përplasje mes presidencës dhe kryeministrit Rama.
Institucioni i Presidentit të Republikës ka dënuar ashpër deklaratën e kryeministrit Rama dhënë në një televizion, duke e cilësuar si “të papëgjegjshëm” etiketimin që kreu i qeverisë ka bërë për presidentin Nishani në lidhje me protokollin gjatë vizitës së Sekretait të Shtetit Kerry në aeroportin e Rinasit gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Përfaqësuesja e presidencës, Brunilda Arapaj, në një deklaratë për shtyp, ka thënë se “kërkesa e Sekretarit Kerry e përcjellë përmes Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për të takuar Presidentin e Republikës gjatë mbërritjes së tij në Shqipëri ishte një nder i veçantë dhe respekt ndaj Institucionit dhe vetë Presidentit Nishani. I kërkojmë Kryeministrit të vendit të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe spekulative ndaj Presidentit të Republikës dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, pasi një qëndrim i tillë nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan”.
Por përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka shkruar se institucioni i presidencës e ka qekuptuar: “Presidenca më ka keqkuptuar!Thjesht isha e jam i keqardhur që Presidenti i Shqipërisë i doli avionit përpara. Si e pse kjo s’ka pikë rëndësie”.