Majlinda Kelmendit, fituese e medaljes së artë në xhudo në Lojërat Olimpike “Rio 2016” sot u kthye në Kosovë, për nder të së cilës u organizua një pritje ceremoniale në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aeroport ajo u prit nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe nga familjarët e saj. Pas kësaj, Kelmendi së bashku me Kryeministrin Mustafa, ministrin Shala dhe trajnerin Driton Kuka mbajtën një konferencë për media.
Kryeministri Mustafa, u shpreh se medalja e Majlindës është një dhuratë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Ai theksoi se falë një pune të palodhshme të Majlindës dhe të trajnerit të saj është arritur deri te ky sukses. “Kemi kënaqësinë e veçantë që të presim Majlinda Kelmendin.Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, si rezultat i punës së tyre dhe unë i falënderoj për këtë fitore, për këtë dhuratë që ia kanë bërë Kosovës”, u shpreh Mustafa.
Fituesja e medaljes së artë, Majlinda Kelmendi u shpreh se kanë punuar bashkërisht për këtë sukses, të cilin shumë shtete kanë ëndërruar të arrijnë. Ajo bëri të ditur që periudha më vështirë për të ka qenë ajo gjatë vitit 2015, ku kishte lëndime të shumta dhe se kishte pasur shqetësime se nuk do të kthehet përsëri në formën që ishte më parë.
“Pavarësisht këtyre lëndimeve dhe kësaj periudhe të vështirë jam kthyer më mirë sesa kam menduar. Këtë vit jam bërë edhe kampione e Evropës. Edhe në dy garat e tjera që kam marrë pjesë kam marrë medaljen e artë. Të them të drejtën edhe në Lojërat Olimpike jam nisur për ta marrë medaljen e artë”, u shpreh Kelmendi.
Ndërkohë trajneri i Kelmendit, Driton Kuka u shpreh se për të çdo medalje olimpike ka qenë e artë. Ai shtoi se atë që tani po jetojnë është sikur një ëndërr, dhe se kjo është historia më e lumtur që kishte ndodhur në jetën e tij.
Sa i përket pytjes për ndërtimin e palestrës ose qendrës sportive për Xhudo, trajneri Kuka u shpreh se këtë e kishte premtuar Kryeministri Mustafa, një ditë para se të shkonin në Rio.
Pas konferencës në Aeroportin “Adem Jashari”, ku Kelmendin e prisnin anëtarë të shumtë të klubit të Xhidos në Pejë, “Ippon”, ajo me autobus të hapur kaloi nëpër sheshet e kryeqytetit, të cilën e prisnin qindra qytetarë të Prishtinës.