Pro aderimit në BE, 72 % e qytetarëve

Popullariteti i Bashkimit Evropian në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Në një referendum për t’iu bashkuar BE-së, 72 % e qytetarëve do të kishin thënë “Po”, përqindje kjo që nuk ka ndryshuar nga dy vitet e kaluara.
Në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë, thuhet se shumica besojnë se integrimi do të ishte një përparësi për Kosovën.

“Pothuaj 90 % e të anketuarve e konsiderojnë si të rëndësishëm fuqizimin e lidhjeve me BE-në; dhe më shumë se 70 % e tyre e shohin integrimin në BE si një zgjidhje të mundshme për problemet ekzistuese në ekonomi, udhëtim, korrupsion, sigurim të së ardhmes për të rinjtë, mirëqenie sociale dhe në fushat e bujqësisë”, bëhet e ditur në njoftim.

Anketa, e cila është organizuar nga projekti i financuar nga BE-ja, “Perspektiva e BE-së në Kosovë” (EUPK) dhe e cila është realizuar në maj dhe qershor të vitit 2012 nga “UBO Consulting”, përfshin 1.500 intervista ballë për ballë me përfaqësues nga i gjithë vendi, shqiptarë, serbë dhe komunitete të tjera minoritare të Kosovës, të cilat kanë qenë të ndara sipas gjinisë, arsimimit, të ardhurave, dhe prejardhjes urbane dhe rurale.

Me këtë rast, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli ka thënë se 57% e të anketuarve besojnë se anëtarësimi i Kosovës në BE do të sillte dobi personale për ta, një nivel ky që është ngritur nga ai 54% në vitin 2010.

“Unë jam veçanërisht i impresionuar me faktin që serbët e Kosovës kanë një pikëpamje dukshëm më pozitive për BE-në sot se sa që kishin në anketën e ngjashme të bërë në vitin 2010”, tha ai. 30% e të anketuarve serbë kanë thënë se ata mendojnë që BE-ja është pozitive, në krahasim me 0% që ishin në vitin 2010, dhe shifra e atyre që mendojnë se BE-ja është një forcë negative ka rënë nga 98% në vitin 2010 në 24% aktualisht.

“Kjo anketë na jep një mjet shumë të mirë matjeje për veprimet tona të vetëdijesimit dhe madje edhe një bazë më të mirë për planifikimin e këtyre aktiviteteve në të ardhmen bashkë me Ministrinë e Integrimeve Evropiane”, tha Melvin Asin, zëvendës udhëheqës i operacioneve në Zyrën e BE-së.

Sipas tij, 56% e të anketuarve kanë thënë se Kosova tani është e gatshme që t’i bashkohet BE-së, 34% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE-së “deri në vitin 2014” dhe 54% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE-së “brenda 5 viteve të ardhshme”.

Në mesin e të gjeturave të tjera të anketës së UBO-s, janë prezantuar disa trende interesante: televizioni mbetet burimi më i përhapur i informacionit lidhur me BE-në, politikat dhe institucionet e saj; shfrytëzimi i internetit si burim lajmesh është rritur dukshëm që nga viti 2010, duke e bërë atë si burimin e dytë më të përhapur të informacionit sot; gazetarët ende gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik, me vendimmarrësit e BE-së në vendin e dytë; niveli i besimit në OJQ/përfaqësues të shoqërisë civile ka rënë dukshëm, nga 18% në vitin 2010 në 7% aktualisht.kohaislame

Artikulli paraprakBosnja ka njohur pasaportat e Kosovës?
Artikulli vijuesProjektligji për konfiskim të pasurisë drejt Kuvendit