Sherri për pronën, masakrohet familja në Lezhë

 Tragjedi në Lezhë. Tre pjesëtarë të një familjeje u gjetën mbrëmë të vrarë në oborrin e banesës së tyre.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë me dije, se ngjarja ku mbetën të vrarë me breshëri automatiku kryefamiljari Rrok Shtjefni, 57 vjeç, bashkëshortja e tij, Mira Shtjefni, 55 vjeç dhe djali i tyre 24-vjeçar, Fatjon Shtjefni, ndodhi në fshatin Blinisht të këtij rrethi. Pas kryerjes së hetimeve paraprake dyshohet se viktimat u ekzekutuan nga bashkëfshatari i tyre, Kastriot Zhuba, i cili është shpallur në kërkim. Mësohet se autori i krimit (djali i xhaxhait të kryekomunarit të Blinishtit), është person me precedent penal, dhe se po punohet për arrestimin e tij. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor sqarojnë se dyshohet që vrasja e trefishtë ka ndodhur për motive pronësie.

NGJARJA
Konfliktet për pronësinë shuajnë një familje në fshatin Blinisht të Lezhës. Rreth orës 21:10, një breshëri automatiku ka shkaktuar panik tek banorët e këtij fshati. Në hyrje të banesës së familjes Shtjefni u gjet i pajetë 55-vjeçari Rrok Shtjefni, si dhe bashkëshortja dhe djali i tyre 24-vjeçar. Tre viktimat u dërguan në Spitalin Rajonal të Lezhës, por mjekë të këtij spitali pohuan mbrëmë për “Gazeta Shqiptare”, se bashkëshortët Shtjefni dhe djali i tyre kishin ndërruar jetë. “Tre pjesëtarët e familjes Shtjefni nuk arritën të merrnin ndihmën e parë mjekësore. Ata mbërritën të vdekur dhe kishin plagë të rënda me armë zjarri”, – tha drejtori i Spitalit të Lezhës, Nevruz Bare. Ngjarja e rëndë ka ngritur në këmbë Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Lezhës./bw/kohaislame

Artikulli paraprakLDK nën presionin e Qeverisë
Artikulli vijuesSulme të telekomanduara në Pakistan – disa të vrarë