Profeti i mëshirës

Profeti i mëshirës
(paqja e Zotit qoftë mbi të)

Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) ushqente vetë devenë dhe lidhte litarin e saj, fshinte shtëpinë, milte delet, ndreqte këpucët dhe pastronte vetë rroben e tij, hante bashkë me shërbëtorin e tij, i shtrëngonte duart me të pasurin dhe të varfrin, të riun dhe të vjetrin, gjithmonë përshëndeste i pari kushdo qoftë ai, i zi ose i bardhë, i lirë ose rob.
Ai ishte njeriu i zgjedhur nga Zoti në nivelet më të larta të virtytit për të përcjellë Mesazhin e madh për të gjithë njerëzimin. I mëshirshëm, shpirtbutë, tolerant, falës, bujar, besnik, i ndershëm, adhurues, fjalë ëmbël, i buzëqeshur, i dashur…ky është Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të) në jetën e tij të përditshme. Nuk i refuzonte ftesat e njerëzve të varfër dhe të robërve.
Ai kurrë nuk është ngopur me ushqim, e as nuk është ankuar për këtë dhe kurrë nuk e shtriu dorën e tij nga lakmia. Edhe nëse mëngjesi do ta gjente të uritur kjo nuk do ta ndalonte nga agjërimi gjatë ditës. Varfëria në këtë botë ishte pasuria e tij dhe adhurimi i Zotit lumturia e tij. Asnjëherë nuk ndjehej rehat nëse gjendej pasuri në shtëpinë e tij, derisa ta shpërndante atë për të varfrit e Medines.

Ai kurrë nuk mërzitej për jetën e kësaj bote dhe çështjeve të saj, por kur është shkelur një e drejtë e Allahut ngrihej me zemërim në mbrojtje të saj derisa ajo korrigjohej. Heshtte gjatë dhe kurrë nuk fliste pa nevojë. Asnjëherë nuk hakmerrej për veten, por falte dhe e pranonte justifikimin. Fjalët e tij ishin të sakta, të plota, asnjëherë më pak ose më shumë se ç’ishte e nevojshme. Falenderonte në mënyrën më të mirë për çdo dhuratë që i bëhej edhe nëse ajo ishte e rëndomtë nuk e përbuzte atë.
Gjithmonë ishte i gatshëm të dëgjonte shqetësimet dhe hallet e njerëzve me qetësi dhe t’i udhëzonte ata drejt asaj që ishte e drejtë për çështjet e tyre. U përgjigjej me durim dhe u ofronte më tepër se çkishin nevojë të dinin. Vazhdimisht interesohej për gjendjen e pasuesve të tij dhe kur mungonte ndonjëri prej tyre pyeste për të.

Edukonte dhe frymëzonte njerëzit për besim, drejtësi, morale të larta, modesti, sinqeritet, dituri etj. Kurrë nuk ishte i pasjellshëm, e ndalonte veten nga angazhimet pa dobi dhe hulumtimet për njohjen e gabimeve të të tjerëve.
Gjithmonë ka folur me qëllim të mirë dhe për ide të mira. Nuk e ngrinte zërin në kuvendet e tij dhe kur ai fliste të gjithë e dëgjonin pa e ndërprerë, me përulje dhe respekt, sa zogjtë mund të uleshin mbi kokat e tyre. Nuk e ndërpriste askënd në fjalën e tij dhe kur kritikonte askush nuk ndjehej i ofenduar apo i përbuzur, Bënte shaka, por nuk tallej dhe as gënjente. Të gjithë e admironin dhe e donin më shumë se vetvetet e tyre.

Asnjëherë nuk ulej dhe ngrihej pa përmendur Allahun dhe këshillonte të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. I përkushtohej të gjithëve dhe tregonte interes për ta sa secili e mendonte veten si më të dashurin dhe më të afërtin tek i Dërguari (paqja e Zotit qoftë mbi të). Çdokush që vinte tek ai me një nevojë nuk largohej pa e plotësuar atë.
Profetët e Allahut ishin të gjithë të bekuar me pamjen më të hijshme dhe karakterin më fisnik, i tillë ishte edhe Muhammedi (paqja e Zotit qoftë mbi të), por prapë mbetej një njeri si të gjithë njerëzit e tjerë. Hante, pinte dhe flinte si ata, lodhej dhe lëndohej, sëmurej dhe harronte, pra nuk ishte zot dhe nuk kishte cilësi hyjnore. Ai nuk ishte i pavdekshëm dhe nuk e njihte fshehtësinë, ishte njëjtë si të gjithë njerëzit, por në nivelin më të lartë të virtyteve që mund të ekzistojnë tek njeriu.
Udhëheqës modest, trim, sakrifikues, i mençur dhe i drejtë. Nuk e lakmonte këtë botë dhe për këtë fitoi dashurinë e Allahut e nuk lakmonte çfarë kishin të tjerët dhe për këtë fitoi dashurinë e njerëzve. Dhuronte dhe nuk frikësohej nga varfëria. I mbështetur plotësisht tek Allahu, plot shpresë dhe mendim të mirë për Zotin e tij. Falenderues dhe durimtar për çdo gjëndje të mirë apo jo që i vinte nga Zoti.

Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) është modeli i shkëlqyer dhe rruga e tij shpëtim për njerëzimin.

Artikulli paraprakNjë ndodhi e bukur nga shejh Albani
Artikulli vijues5 lutjet që të mbrojnë nga magjia!