Ekspertët e përshkruajnë si një person të stërvitur dhe me njohuri shumë të mira në përgatitjen e bombave, çka hedh dyshime të forta se mund të jetë ish-efektiv i forcave speciale. Këpucët dhe ora- dy elementë identifikues në momentin e vendosjes së bombës në farmacinë e babait të Saimir Tahirit
Njeriu i bombave që vazhdon të mbajë në ankth kryeqytetin, është një person i stërvitur mirë dhe me njohuri të posaçme në fushën e lëndëve plasëse. Profilizuesit e policisë në bashkëpunim me ekspertët kanë mundur të ndërtojnë një profil për njeriun që terrorizoi kryeqytetin me të paktën tri bomba, dy prej të cilave fatmirësisht nuk shpërthyen.
Duke u nisur nga pamjet filmike, ekspertët kanë mundur të evidentojnë disa të dhëna specifike për autorin e eksplozivëve, duke e profilizuar atë si një njeri të stërvitur në këtë fushë, ndoshta edhe jashtë vendit, por duke hedhur dyshime të forta se mund të vijë nga radhët e forcave speciale. Pamja më e qartë e të dyshuarit është ajo e orëve të para të mëngjesit të 10 shkurtit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, ku i dyshuari është afruar qetësisht me një biçikletë ndërsa brenda xhupit të zi kishte sasinë prej rreth 400 gram tritol që do të shpërthente 20 minuta më pas.
Sapo ka zbritur nga biçikleta, ekspertët kanë mundur të fiksojnë detajin e parë, i cili ka të bëjë me këpucët që mbante veshur i dyshuari. Ato përshkruhen si këpucë të rënda, apo siç njihen në gjuhën e policisë dhe ushtrisë kambale. Këto lloj këpucësh janë pjesë e uniformës së ushtarakëve, punonjësve të policisë, apo gardistëve.
Më pas, ekspertët kanë bërë një përshkrim të profilit fizik të autorit. Gjatë disa sekondave që ai ka qëndruar në këmbë përpara kameras, duke përdorur pajisje filtruese të figurës, ekspertët kanë përshkruar të dyshuarin si një individ me formë të mirë fizike, çka tregon se ka kryer stërvitje fizike. Veprimet e të dyshuarit në momentin e lidhjes së lëndës plasëse me celularin, sipas ekspertëve tregojnë saktësi dhe shpejtësi, duke hedhur kështu dyshime se ky person jo vetëm që e ka njohur këtë terren më parë, por është i stërvitur në kryerjen e veprimeve të tilla. Ky konkluzion konfirmohet pak sekonda më pas, kur i dyshuari vendos lëndën plasëse mbi motorin e jashtëm të kondicionerit të farmacisë, vetëm me dy veprime.
I dyshuari mendohet të jetë rreth 1.80-1.85 centimetra, pasi nga matjet e kryera në vendin e ngjarjes rezulton se motori i kondicionerit është mbi 2 metra lartësi nga toka. Ekspertët thonë se personi që mund të jetë i moshës 30-35 vjeç nuk ka asnjë moment hutimi, madje e përshkruajnë si tepër të përpiktë, aftësi të cilat vijnë nga stërvitja dhe njohja e situatave të tilla.
Gjatë momentit të lidhjes së celularit me kapsollat, detonatorë të vendosur në eksploziv, profilizuesit kanë vënë re shkëlqimin e një ore në dorën e majtë të autori. Për nga përmasat ora duket paksa e pazakontë, madje sipas ekspertëve mund të jetë një element dallues që bashkë me veshjen dhe këpucët, i orientojnë dyshimet drejt një njeriu me aftësi të posaçme në situata të tilla, të fituara falë stërvitjes së mëparshme. Përveç pamjeve të vendosjes së bombës në biznesin e shtetasit Bashkim Tahiri, ekspertët kanë marrë në analizë edhe lëndën shpërthyese të gjetur në rrugën “Sami Frashëri”, pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë.
Nga analiza e mekanizmit të lëndës plasëse, që në përbërje kishte rreth 1 kilogram tritol, ekspertët kanë vërejtur një detaj jo të zakontë, të paktën për rastet e shpërthimeve në Shqipëri, që gjatë një viti e gjysmë kanë qenë të shpeshta.
Eksplozivi ishte i lidhur me sasi të konsiderueshme saçmash dhe gozhdësh të prera, të cilat në rast shpërthimi do të ktheheshin në armë tepër të rrezikshme nga fuqia e sasisë prej 1 kilogram tritol. Ky lloj mekanizmi është përdorur në disa raste nga terroristët islamikë, por sipas ekspertëve mësohet edhe në trajnime që efektivë të ndryshëm të policisë, gardës apo ushtrisë kanë kryer jashtë vendit. Pikërisht një metodë e tillë eksplozivi që merr fuqi tepër të madhe shkatërruese nuk është përdorur në asnjë rast të mëparshëm. Ky mekanizëm që haset për herë të parë nga ekspertët, i bën ata të dyshojnë se personi që ka përdorur këtë lloj bombe ka patur njohuri të mëparshme rreth fuqisë së saj, informacion që zakonisht nuk e kanë kriminelët e zakonshëm.
Analiza e thirrjeve telefonike të gjetura në telefonin e lidhur me lëndën eksplozive, tregon se thirrjet janë kryer nga i njëjti numër që aktivizoi bombën në farmacinë e babait të Tahirit dhe eksplozivin në zonën e ‘Vasil Shantos’, i cili fatmirësisht nuk shpërtheu. Lidhja e tri bombave, sipas hetuesve tregon se ato janë vënë nga i njëjti person, duke mos përjashtuar mundësinë që janë vendosur në orët e para të mëngjesit të 10 shkurtit.
Të dhënat e deritanishme të hetimit konfirmojnë lidhjen mes tyre, çka hedh dyshimin se autori i tyre është i njëjti person që jo vetëm ka informacionin e duhur për përgatitjen dhe vendosjen e eksplozivëve, por që brenda pak minutash nëpërmjet biçikletës ka mundur të shpërndajë tri bombat në zona të ndryshme të kryeqytetit, dy prej të cilave fatmirësisht nuk shpërthyen.
Nisur nga ky profilizim, ekspertët kanë mundur të kapin edhe një fraksion sekonde imazhet e fytyrës së autorit të vendosjes së bombave, duke evidentuar disa nga tiparet e fytyrës së tij, si sytë, hundën, ballin dhe pjesën e faqeve.
Ende nuk dihet nëse policia shkencore ka mundur të pastrojë imazhin e kapur dhe nëse nëpërmjet tij mund të arrihet në identifikimin e të dyshuarit./mapo.al