Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me projektin për aeroportin e tretë ndërkombëtar të Stambollit, i cili është kandidat për t’u bërë më i rëndësishmi në aviacionin civil botëror….
Globalizimi është koncepti që formon një nga fushat esenciale të interesit të jetës sociale dhe botës së ekonomisë në 30 vitet e fundit. Koncepti i globalizimit nënkupton përshtatjen apo integrimin ekonomik, politik dhe social të vendeve të ndryshme anembanë rruzullit tokësor me njëri-tjetrin. Ekonomitë e globalizuara i detyrojnë firmat lokale që të konkurrojnë në shkallë globale. Në këtë kontekst, niveli i konkurrencës ndërmjet shteteve është rritur dhe kanë fituar rëndësi teknologjitë, të cilat shtojnë fuqinë konkurruese. Sot për sot, një ndër çështjet, që rrisin ndjeshëm fuqinë konkurruese, është padyshim kursimi i kohës, pra, shpejtësia. Rreth një shekull më parë, udhëtimet tokësore zgjasnin me javë të tëra, por pa kaluar shumë kohëzgjatja e këtyre udhëtimeve u shkurtua në një ditë apo disa orë falë mjeteve të motorizuara të transportit tokësor. Ndërsa revolucioni i vërtetë në këtë aspekt u realizua pas shpikjes së mjeteve ajrore dhe fillimit të udhëtimeve transoqeanike, që reduktuan në vetëm disa orë ato udhëtime, të cilat mund të zgjasnin me vite. Duke qenë se ulë ndjeshëm kostot e transportit dhe kursen kohën, transporti ajror do të vazhdojë të ruajë peshën e tij aktuale për vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim. Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga gjiganti amerikan i aviacionit ushtarako-civil, “Boeing”, ekonomia botërore pritet të shënojë një rritje mesatare me 3,2 për qind në 17 vitet e ardhshme, ndërkohë që trafiku ajror i pasagjerëve dhe ngarkesave parashikohet të ketë një rritje me 5 për qind çdo vit.
Turqia renditet në mesin e 20 ekonomive më të zhvilluara të botës, që ndryshe njihen edhe si G20. Falë popullsisë së saj të re në moshë dhe dinamike, ajo po realizon një sërë investimesh për të centruar objektivin e saj që të klasifikohet në mesin e 10 ekonomive më të fuqishme globale deri në vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimin të republikës moderne. Një nga këto është edhe projekti që vazhdon për ndërtimin e aeroportit të tretë në Stamboll, të cilin e kemi përmendur edhe në seritë e mëparshme. Duket qartë se ky projekt, që pritet të mbështesë transportin ajror të Turqisë, i cili ka regjistruar një rritje mesatare me 13 për qind gjatë dekadës së kaluar, është duke kontribuuar në ekonominë e vendit përmes kanaleve të ndryshme që në fazën e ndërtimit. Në krye të këtyre kanaleve kontribuuese qëndron punësimi i përkohshëm, që është krijuar falë projektit të ndërtimit të tij. Siç bën të ditur kompania kontraktuese kryesore, numri i të punësuarve për ndërtimin e aeroportit të tretë të Stambollit ka arritur në 20 mijë në muajin tetor të këtij viti dhe pritet të shkojë deri në 30 mijë gjatë fazave të avancuara të projektit. I lartë është gjithashtu numri i mjeteve, që po përdoren për të përfunduar në kohë ndërtimin e aeroportit. Në kantierin e tij punojnë gjithsej 3 mijë e 22 makineri ndërtimi, nga të cilat 2 mijë e 200 janë kamionë, 252 ekskavatorë, 60 vinça kullë, 57 makina niveluese, 124 rule dhe 101 buldozerë.
Kapaciteti i aeroportit të tretë të Stambollit, i cili zotëron titullin e projektit me koston më të lartë në historinë e Republikës së Turqisë, pasi tenderimi i tij u realizua për 22,5 miliardë euro në vitin 2013, do të arrijë në 150 milionë pasagjerë në vit. Deri tani kanë përfunduar rreth 35 për qind e punimeve të etapës së parë në aeroportin e ri të Stambollit dhe janë shpenzuar afro 3 miliardë euro. Në aeroportin e ri të Stambollit do të operojnë mbi 150 kompani fluturimi dhe ky aeroport është kandidat për t’u bërë më i rëndësishmi në aviacionin civil botëror.
Si përfundim, zhvillimi i sektorit të transportit dhe i opsioneve të tij në botën e globalizuar po përshpejton gjithnjë e shumë vetë globalizimin. Rritja e vëllimit tregtar ndërmjet vendeve ka sjellë rrjedhimisht edhe shtimin e konkurrencës ndërmjet firmave. Kjo situatë i shtyn kompanitë që të kërkojnë zgjidhje të reja për të ulur kostot. Një prej tyre është edhe transporti ajror, i cili preferohet njëherësh edhe nga turistët për të kursyer kohën e paratë, gjë që formon etapën sociale të globalizimit. Sakaq, edhe Turqia është duke implementuar një sërë projektesh për të zhvilluar transportin e saj ajror në përputhje me kërkesat dhe konkurrencën e botës së globalizuar. Këto projekte kontribuojnë jo vetëm në rritjen dhe zhvillimin e sektorit të transportit ajror, por edhe në krijimin e punësimit të përkohshëm e permanent. Ndërkohë që në fazën e ndërtimit të aeroportit të tretë të Stambollit janë krijuar 20 mijë vende pune deri tani, ky projekt do të vazhdojë të krijojë punësim edhe pas përfundimit të tij duke kontribuuar fuqishëm në ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve turq.