Telefonata Yildirim-Schulz: Turqia e shqetësuar nga shtrembërimi i zhvillimeve

Kryeministri turk, Binali Yildirim, realizoi në orët e vona të së premtes një bisedë telefonike me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në lidhje me zhvillimet e fundit në Turqi…

Kryeministri turk, Binali Yildirim, realizoi në orët e vona të së premtes një bisedë telefonike me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në lidhje me zhvillimet e fundit në Turqi.

Siç bëjnë të ditur burime pranë Kryeministrisë, në këtë bisedë telefonike, shefi i Ankarasë zyrtare i ka shprehur kreut të PE-së shqetësimin e thellë të opinionit publik turk për paraqitjen e ngjarjeve në Turqi me paragjykime dhe me informacione të pabaza e të shtrembëruara për opinionin publik evropian.

Binali Yildirim ka theksuar se, ndryshe nga se shfaqet në Evropë, në vendin e tij ka një gjyqësor të pavarur dhe çdo veprim kryhet sipas normave ligjore, parimit të ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit, por edhe se Turqia është duke luftuar kryesisht kundër PKK-së dhe FETO-s, të cilat janë organizata terroriste me duar të përgjakura.

Duke dhënë informacione rreth zhvillimeve në Turqi, Yildirim ka pohuar se disa qarqe në Evropë, në bazë të informacioneve të pamjaftueshme ose të pasakta dhe të pretendimeve të pabaza, kanë nxjerrë disa konkluzione të rreme në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin e tij.

Pasi ka theksuar se shembulli më i fundit është sulmi në qytetin Diyarbakir, i marrë përsipër nga organizata terroriste e separatiste PKK, Yildirim është shprehur se ata që ofrojnë mbështetje për këtë rrjet terrorist, kushdo qofshin, nuk mund të kenë imunitet ndaj procesit gjyqësor, pasi kjo nuk është e munduar në asnjë shtet ligjor.

Ndër të tjera, Kryeministri Yildirim ka thënë se opinioni publik në Turqi është i shqetësuar në lidhje me prezantimin e shtrembëruar të ngjarjeve në Turqi për publikun evropian, si dhe që disa qarqe të caktuara politike në Evropë mbështesin terrorizmin.

“Turqia vazhdon me vendosmëri drejt qëllimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, është shprehur Yildirim dhe ka shtuar se kanë dëshirën për të forcuar dialogun ndërmjet institucioneve turke dhe atyre të BE-së.

Ndërsa Martin Schulz shpalosi vullnetin dhe dëshirën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit Turqi-BE, të bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta.

Presidenti i PE-së ka theksuar se opinioni publik evropian është duke i ndjekur nga afër zhvillimet në Turqi, e cila është një partner i rëndësishëm për të gjithë Evropën.

“Shumë e rëndësishme është që ne të kuptojnë mirë njëri-tjetrin”, ka shtuar ai.

Kryeministri Yildirim dhe kryeparlamentari evropian kanë rënë dakord gjithashtu që gjatë periudhës në vijim të diskutojnë në mënyrë të ndërsjellë bashkëpunimin Turqi-BE dhe çështjet e tjera në rendin e ditës.

Artikulli paraprakProjekti për aeroportin e tretë në Stamboll
Artikulli vijuesPak gjasa për rritjen e pagës minimale