Propozim radikal në Gjermani: Refugjatët të dërgohen në ishujt jashtë Evropës

Liderja e ekstremit të djathtë – Alternativa për Gjermaninë (AFD) – ka thënë se Berlini duhet që azilkërkuesit dhe emigrantët e paligjshëm t’i dërgojë jashtë Evropës dhe që Zyra për Refugjatët të bëhet Zyrë e Emigracionit.

Me fluksin e vitit të kaluar të mbi një milion emigrantëve që mësynë Gjermaninë, është rritur mbështetja në vend për AFD-në. Madje, pritet që kjo parti të ketë sukses në zgjedhjet që mbahen muajin e ardhshëm.

Frauke Petry e këtij subjekti, në një intervistë për ditoren Bild, ka thënë: “Emigrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit, aplikimet e të cilëve janë refuzuar, duhet të jenë të zhvendosen në dy ishuj jashtë Evropës – nën mbrojtjen e OKB-së”, transmeton Telegrafi.
Ajo nuk tregoi se për cilët ishuj e ka fjalën, por mediat gjermane mendojnë se fjalën e ka për ishujt Nauru dhe Manus, në Paqësor, ku Australia mban azilkërkuesit që zë në brigjet e saj.

“Zyra për Emigracion do të kujdeset që të gjithë emigrantët e paligjshëm ta lënë vendin sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi Petry.

E njohur për fjalimet e zjarrta në mitingje, Petry në fillim të këtij viti ka shkaktuar reagime kur nga Policia gjermane ka kërkuar të përdorin armët e zjarrit kundër emigrantëve të paligjshëm.

Shumica e emigrantëve të cilët kanë shkuar në Gjermani gjatë vitit të kaluar, janë ata që kanë ikur nga lufta dhe persekutimit në Siri, në Afganistan dhe në Irak.

Artikulli paraprakSot fillon lirimi i urës së Ibrit
Artikulli vijuesSHBA, vritet një imam pas namazit