Pse Katari po investon aq shumë në arsim?

0
119

Zakonisht kur vendet e pasura me naftë angazhohen në projekte globale të arsimit, ajo që pret është një filantropi sa për sy e faqe. Por sipas BBC, Katari po ofron diçka më të qëndrueshme.

Ky shtet po bëhet një nga aktorët më të rëndësishëm në fushën e edukimit, duke mbështetur projekte që nga ato themeloret e deri tek ato universitare.

Personi në qendër të këtyre iniciativave është sheiku Abdulla Bin Ali Al- Thani, një anëtar i familjes në pushtet në Katar dhe ish- pedagog universiteti.

Por përse po investon kaq shumë Katari. “Kur të mbarojë nafta, ne duam të kemi një ekonomi të qëndrueshme dhe të përparuar,” thotë ai.

Në këtë mënyrë ata po e riciklojnë gazin dhe naftën në dije, duke ndërtuar universitete, duke reformuar sistemin shkollor, duke përmirësuar trajnimin vokacional etj.

“Bekimi me gaz dhe naftë nuk do të zgjasë shumë, na duhet të fokusohemi në diçka më të qëndrueshme dhe më të rëndësishme,” thotë sheiku.

Natyrisht një sistem cilësor arsimor nuk bëhet brenda natës. Por ata po bëjnë përpjekje. Investime epike, i quan BBC ato që po bëhen për arsimin në Katar dhe që kapin vlerën e dhjetëra miliarda dollarëve.

Pranvera Arabe tregoi pakënaqësinë e popullatës së re, të papunë dhe pa perspektivë. “Ne duhet të kemi një arsim që i shërben nevojave të njerëzve,” thotë sheiku.

Madje Katari ka vendosur të bëhet i pari vend në botë që jep një çmim prestigjioz për arsimin. Nuk ka pasur kurrë një çmim Nobel për arsimin dhe tani Katari jep çmimin WISE me vlerë 500 mijë dollarë. “Ne flasim për rëndësinë e edukimit, por kurrë nuk ka pasur diçka prestigjioze që ta reflektojë këtë,” thotë Abdulla./ekuiliber/kohaislame