Nga Fitim Zekthi
Sulmet e urryera terroriste në Bruksel po tregojnë se ISIS nuk ka asnjë mundësi të shtyjë elitën intelektuale, kulturore por edhe politike të perëndimit, të shohë tek ajo një organizatë myslimane dhe të nisë të shohë tek islami apo te çdo mysliman njerëz që kanë predispozitë të bëhen terroristë.
Ndonëse jo me intensitetin e reagimeve pas sulmeve ndaj Charlie Hebdo-së apo atyre në Bataclan, sociologë, filozofë, shkrimtarë etj., e kanë quajtur thjesht të urryer taktikën e ISIS-it apo të kujtdo terroristi që kërkon të nxisë me këto akte reagimin e shoqërive perëndimore ndaj Islamit dhe myslimanëve, në përpjekje për t’i hedhur ata në prehrin e saj.
Këto akte diabolike që duan të shokojnë dhe terrorizojnë, kërkojnë vetëm një gjë: identifikimin e islamit dhe myslimanëve si në gjendje lufte me perëndimin. Kjo do të bënte, mendojnë terroristët, që mbi një miliardë myslimanët të shihnin tek ISIS udhëheqësin e tyre dhe kësisoj numri i rekrutëve të rritet pa ndalur.
Refuzimi ka qenë gjigant dhe emocionues çka tregon vitalitet të perëndimit por edhe myslimanëve kudo. Disa nga njerëzit më të njohur të botës akademike në perëndim si filozofët dhe sociologët Habermas, Sloterdijk, Lessenich, Soeffner në Gjermani, Galston, Fukuyama, Brooks, Gutting në SHBA, Collin, Phoesel, Rosanvallon në Francë apo Negri në Itali, që kur nisën diskutime të tilla më shumë se 15 vjet më parë, kurrë nuk kanë folur për luftë ndaj islamit, për fe që prodhon terrorizëm apo për fe që nuk pranon një kulturë apo një qytetërim.
Megjithatë, pavarësisht refuzimit të gjerë dhe zërit të elitës akademike nuk kanë munguar zërat që e cilësonin islamin si fe terroriste, që i cilësonin myslimanët si njerëz që luftojnë kundër demokracisë dhe qytetërimit perëndimor etj. Këta zëra përbëhen nga blogera, gazetarë, aktivistë të zakonshëm të cilët kurrë nuk janë shqetësuar për ndonjë seriozitet shkencor apo akademik në qëndrimet e tyre.
Ndër ta mund të përmendim Magdi Allam bloger, i ashtuquajturi Ibn Warraq, një aktivist antimysliman, Pamella Gellner blogere dhe organizatore konkursesh karikature, Glen Beck opinionist në Fox News, Phyllis Chesler psikoterapist, Ann Coulter komentatore apo edhe Breivik …. etj. etj.
Edhe në Shqipëri , sidomos në Kosovë, ka nga ky grup njerëzish që për fat të keq dhe ndryshe nga perëndimi nuk gjenden vetëm në blogje dhe media por edhe në universitete apo qendra akademike.
Ky grup në padije të plotë sillet bash si blogerat apo aktivistët islamofobë në botë dhe duket se këmbëngul që të mos shohë diskutimet që bën elita kulturore e atjeshme. Për të kuptuar diçka, këtë dallim mes elitës akademike dhe kulturore dhe grupit të blogerëve, aktivistëve apo gazetarëve etj., do të përpiqemi ta shohim pak më gjerë në hapësirën ku ndërtohet ky diskurs.
Alasdair Mc Intyre, një nga filozofët më të njohur sot në botë, profesor në universitetin e Notre Dame (Indiana) ka zhvilluar gjerësisht tezën e emotivizmit. Sipas tij, në masë të gjerë sot njerëzit nuk arrijnë të kenë një kuptim të përbashkët mbi të mirën. Duke mos patur një kuptim të përbashkët mbi të mirën ata nuk kanë mundësi të ndërtojnë argumente të arsyetuara. Kështu ata hyjnë në diskutim apo në marrëdhënie me të tjerët dhe me botën duke u përkufizuar nga dëshirat dhe preferencat e tyre, të cilat ata i mendojnë se janë të arsyeshme pavarësisht se nuk i mbështesin në argumente të arsyetuara.
Kjo bën që njerëzit, -thotë Mc Intyre të përpiqen ta imponojnë dëshirën apo preferencën e tyre (e cila nuk është dhe nuk mund të jetë subjekt i argumentimit të arsyetuar) në çfarëdo forme që të mundin. Në këtë pikë gjithkush ka një kuptim të tijin mbi të mirën, të vërtetën dhe të drejtën, i cili buron nga dëshirat dhe preferencat e tij (jo nga argumenti i arsyetuar).
Kësisoj gjithkush zgjedh parimet që i hyjnë në punë duke qenë se ai nuk i zgjedh ato sipas një argumenti të arsyetuar por sipas dëshirave. Ky është emotivizmi. Ai është një arsye madhore pse shumë zëra që sulmojnë islamin, shohin një mysliman te çdo terrorist dhe shohin dhunë te feja apo e shohin fenë si burim dhune nuk tërhiqen asfare pse në atë që thonë nuk ka argumente të arsyetuara.
Këta nuk duan të dinë ç’është islami, ç’është feja, ç’është shteti, ç’janë “luftërat fetare”, si lexohet një tekst fetar, si luftohet terrorizmi dhe ku të çon mënyra e tyre e diskutimit. Ata janë robër të dëshirave dhe preferencave. Është kjo arsyeja pse elita akademike dhe universitare e perëndimit sillet ndryshe pasi në nivele të tilla akademike nuk mund të ndërtohet mendim mbi preferenca dhe dëshira personale.
Një tjetër element që ndihmon të shpjegohet kjo arsye na vjen nga filozofi i famshëm italian Giorgio Agamben. Agamben merr një shembull nga Roma e vjetër. Mes shumë dënimeve Roma është e njohur edhe për Homo Sacer-in. Homo Sacer ishte dikush që ishte shpallur i përzënë nga shoqëria, të cilin mund ta vriste kushdo dhe nuk mbante asnjë përgjegjësi. Ta vrisje homo sacer-in nuk dënoheshe. Homos sacer nuk mbrohej nga asnjë ligj.
Aristoteli thoshte se njeriu në polis ka bios, jetë me të drejta politike dhe ligjore, ndërsa jashtë tij vetëm zoi, jetë vetëm si organizëm biologjik. Agamben nisur nga kjo ka krijuar një koncept të ri atë të “jetës lakuriq”, pra të jetës vetëm si gjallim i trupit, e cila është ajo që mbetet pasi njeriut i hiqen të drejtat politike. Sipas Agamben Aushvici dhe të gjitha kampet e përqendrimit janë homo sacer, aty njerëzit kanë vetëm jetën lakuriq.
Agamben e zgjeron më tej këtë koncept dhe thotë se sot Aushvici i ka rrëzuar muret dhe ka hyrë në shoqëri, gjendet te të varfërit, tek ata që mbesin burgjeve dhe nuk mbrohen dot, te të papunët apo te romët dhe shtresa të margjinalizuara. Agamben thotë se stadiumi i Barit në vitin 1992 ku u futën dhunshëm refugjatë shqiptarë ishte pikërisht kjo, homo sacer.
Sipas Agamben sovrani është ai që i përcakton disa kategori, grupe apo bashkësi njerëzish si entitete që kanë vetëm zoi dhe jo bios, që kanë vetëm jetën lakuriq, që nuk kanë asnjë të drejtë politike dhe njerëzore. Këto grupe nuk janë si të tjerët, ata nuk meritojnë as t’i konsiderosh si njerëz.
Pak a shumë kjo qasje funksionon kur mediat, opinionistët dhe shumëkush tjetër nuk flet, nuk vë flamuj, apo lule kur vriten njerëz nga terrori në Ankara, Bregun e Fildishtë apo Stamboll. Ata cilësohen qenie me zoi dhe jo me bios. Agamben e zgjeron edhe më këtë koncept dhe thotë se grupet apo bashkësitë homo sacer janë të përfshira nëpërmjet përjashtimit dhe detyra e sovranit është të qeverisë këtë masë jetësh lakuriq, të menaxhojë atë masë në mënyrë që ajo të mos kuptojë fare se ç’është e vërteta, e drejta etj. Shteti modern duke qenë se është duke u kthyer pa ndalur prej dy shekujsh në një gjigant, nuk mund të ketë të njëjtën indiferencë ndaj homo sacer-it si dikur në Romë.
Përkundrazi ai duhet ta menaxhojë dhe ta bëjë të mos shohë dhe të mos kuptojë veten. Kështu një pjesë e madhe e njerëzve, jo vetëm e punëtorëve, të varfërve por edhe e atyre që punojnë në media, në arsim, muzikë apo lëme të tjera janë pa kuptuar qenie me jetë lakuriq. Ato mund të mendojnë se kanë bios ngaqë iu duket sikur kanë akses në pushtet apo në të drejta, por në fakt janë vetëm ingranazhe që menaxhohen nga sovrani si jetë lakuriq sa kohë nuk mund të mendojnë në mënyrë racionale. Sociologu i njohur Peter Berger i Universitetit të Bostonit flet për një “strukturë të besueshme”, e cila është një kontekst socio-kulturor ku një sistem kuptimi dhe bashkësi e caktuar bindjesh fitojnë statusin e të qenit “reale”, të “drejta”, të ‘vërteta” dhe “normale”.
Në këtë pikë, thotë Berger, ajo që “imponohet” nga struktura mendohet si gjithçka. Në këtë kuptim, një pjesë e mirë e zërave të medias, të blogerëve, apo gjithfarësoji, pa kuptuar janë në statusin e qenies që zotëron zoi dhe nuk kanë bios pasi janë të përjashtuar duke qenë të përfshirë dhe menaxhohen nga sovrani. Elita akademike dhe kulturore nuk mund ta lexojë botën sipas strukturës për të cilën flet Berger.
Është qesharake të dëgjosh të përsëritura marrina të thëna nga një gazetare italiane, Oriana Fallaci, kohë më parë si “të gjithë myslimanët nuk janë terroristë, por të gjithë terroristët janë myslimanë” si postulate të së vërtetës apo të lexosh në shtyp se myslimanët në perëndim izolohen dhe nuk pranojnë kulturën e atjeshme.
Pse nuk citohen akademikë si Bielefeld apo Ian Roberston që thotë se arsyet, me bazë fetare, për të vrarë janë të njëjta në mos më të vogla se sa shumë arsye të tjera.
Pse nuk lexohen sociologë si Roy apo Nathan, që flasin për një tjetër realitet, pse nuk përmenden tekste bazike të Cavanagh apo Armstrong mbi luftërat fetare që s’kanë qenë kurrë të tilla?
Lufta kundër terrorit është një luftë kundër një të murtaje që ka specifikat e veta dhe nuk mund të fitohet me narrativa të tilla përgjithësuese, të cekëta dhe të pambështetura. ISIS duhet izoluar dhe jo përkrahur.