Hambari i madh i kanabisit që rritej, pritej e mblidhej në Lazarat të Gjirokastrës nuk është më, por vendi gjallon nga të tjerë hambarë të vegjël, të mbushur me marijuanë që në disa raste, para se të shkojë për tymosje, kalon nën hundën e strukturave të shtetit. Lufta kundër drogës nuk po jep efektin e saj të pritshëm. Shumëkush mendoi se pas gjunjëzimit të plotë të Lazaratit, përsa i përket kultivimit dhe trafikimit të marijuanës, vendi ynë do fshihej nga harta e kuqe e rritjes së hashashit. Në të vërtetë u shtuan të tjera njolla, pasi droga është zhvendosur dhe ka njohur shtrirje më të gjerë, në përmasa disi më të vogla, ku tashmë nuk kemi një fshat të madh me marijuanë, por disa “Lazarate” të vegjël, në gjithë vendin. Përtej dyshimeve për lidhje apo krahinizma, dy nga zonat më problematike aktualisht janë Tepelena dhe lugina e Lumit të Vlorës. “Na janë dëmtuar ca parcela, por kemi edhe të tjera që shpëtuan dhe janë mbarë…”. Kjo është një nga frazat e dala nga një prej të akuzuarve si pjesëtarë të grupit që trafikonte drogë me avion nga Vlora në Itali, teksa u referohej parcelave të mbjella me drogë. Dhe përpos akuzave apo mburrjes mediatike, droga ka “gojë” vetë për të treguar se është këtu, pasi për pak ditë do të korret e më pas e pret tregu i etur. Në vend që sasitë e parcelave me kanabis të uleshin, kanë njohur rritje krahasuar me një vit më parë. Ndërsa kultivuesit e mëdhenj dhe trafikantët ngjajnë si “bejlerë” që paguajnë punëtorë me mëditje në zonat e kontrolluara prej tyre dhe presin e nuk lënë gurë e “zar” pa luajtur që dëmi policor për ta të jetë sa më i ulët.
Droga, sivjet më plot…
Një shifër e përafërt mbi kanabisin e asgjësuar deri më tani doli zyrtarisht dy ditë më parë nga ana e Ministrisë së Brendshme. Jo shumë për të treguar detaje të luftës ndaj drogës, por për t’i dhënë një “tregues” opozitës, pas përplasjeve të fundit në lidhje me deklarimet e ish-shefit të antidrogës në Policisë e Fierit, Dritan Zagani. “Nëse i konsideron vetëm disa rrënjë mbi 630 mijë bimët e kanabisit të asgjësuara vetëm këtë vit nga policia, në operacione nga Tropoja e Dukagjini, e deri në Tepelenë e Korçë, ky është një problem të cilin nuk ia zgjidhim dot opozitës. E vetmja trashëgimi e qeverisë së kaluar ishin hartat me fotografitë e ofruara nga policia italiane për mijëra parcela droge anembanë vendit, për të cilat nuk ishte lëvizur as gishti për t’i shkatërruar”. Ky është reagimi zyrtar i dy ditëve më parë i Ministrisë së Brendshme, duke iu kundërpërgjigjur qëndrimit të opozitës që akuzoi ministrin Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit si të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht të marijuanës. Shifra vërtet e lartë prej mbi 630 mijë bimë kanabis, pavarësisht “suksesit” të shkatërrimit, mbart edhe lajmin tjetër se kanabisi po kultivohet masivisht në shumë zona të vendit. Me një përllogaritje krejt të thjeshtë, i bie që një në katër banorë në vend të ketë një “bimë kanabis”. Krahasuar edhe me një vit më parë, droga e kultivuar dhe asgjësuar ka njohur rritje me mbi 20 për qind. Sipas të dhënave zyrtare të dala nga Policia e Shtetit, për vitin 2014 u asgjësuan në total 530 177 bimë narkotike kanabis-sativa në të gjithë vendin, ku pjesa më e madhe u zbulua dhe shkatërrua në Lazarat dhe Malësinë e Dukagjinit. Për fshatin më të njohur në vend nuk bëhet fjalë të guxojë kush për momentin që të hedhë një farë kanabisi, pasi kontrolli policor dhe monitorimi i vazhdueshëm është mjaft i madh. Kjo nuk mund të thuhet për zonat e tjera të vendit, pasi të marra të gjitha bashkë, “humbjet” nga Lazarati po i zëvendësojnë treva të njohura si Tepelena dhe fshatrat që gjenden në luginën e Lumit të Vlorës. Gjithashtu edhe rrethe të tjera nuk bëjnë përjashtim, ku veçanërisht bie në sy Kruja dhe Fushë-Kruja, që ndonëse zona relativisht me reliev të butë, kryesisht fushor dhe kodrinor, nuk hezitojnë të hedhin farën e kanabisit si në kodrina ashtu edhe në sera.
Tepelena e Vlora kapin “tregun”…
Doli jashtë çdolloj parashikimi të drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit kultivimi i madh i kanabisit, vetëm një vit pasi në gjithë Shqipërinë u zhvillua aksioni më i madh policor i ndërmarrë ndonjëherë në luftën ndaj drogës. Pritej ulje e ndjeshme e kultivimit të kanabisit, por ka ndodhur e kundërta. Është perfeksionuar metoda e fshehjes dhe forma e rritjes. Për të pasur një bimë sa më të rritshme dhe për të ardhur më shpejt, kultivues të ndryshëm e mbjellin kanabisin në kubikë dhe e rritin në sera deri në momentin kur kap një lartësi të caktuar, kryesisht 20 centimetra. Më pas fidani kalon i mbjellë në parcela të ndryshme, në zona mjaft të thella ose të fshehura, aty ku syri i njerëzve është i rrallë. Edhe për strukturat e rendit është bërë mjaft i vështirë zbulimi dhe asgjësimi; përsëri nuk kanë munguar as akuzat dhe dyshimet se operacionet antidrogë nuk zhvillohen kudo njësoj. Në Malësinë e Dukagjinit, në dy aksione të mëdha zbarkuan mbi 400 efektivë të policisë, madje të mbështetur nga forcat speciale RENEA dhe mjete logjistike, përfshi edhe helikopterët. Kjo nuk ka ngjarë në Tepelenë dhe Vlorë. Në tri aksione të konsideruara si të mëdha janë përfshirë vetëm punonjës të policisë lokale, ndërsa aksionet ishin më shumë të parcelizuara sesa një krehje e plotë e gjithë zonës. Edhe në Vlorë ka ngjarë e njëjta situatë, të paktën deri më tani, pasi nëse nuk ndërhyhet në ditët në vijim, droga do të korret nga vetë kultivuesit dhe strukturave të rendit do u duhet të kalojnë në planin “B”, atë të kapjes së lëndës narkotike në momentin e trafikimit. Mijëra bimë janë asgjësuar, qindra parcela të mbjella me kanabis u shkatërruan, por sërish bilancet nuk janë aq pozitive për t’u regjistruar. Edhe pse ngjan e pabesueshme, as edhe një person i vetëm nuk u arrestua pas mësymjes në zonën e Dukagjinit. Drogë ka, po e kujt është? Pikërisht ky mbetet problemi më i madh, që pavarësisht shkatërrimit të mijëra bimëve, zbulueshmëria është në nivele mjaft të ulëta. Ka munguar puna hetimore dhe operative nga ana e strukturave të rendit. Pak javë më parë një nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit pas aksionit antidrogë të kryer në Dukagjin deklaroi se kultivuesit e vërtetë jetojnë në Shkodër dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa personat që punonin në parcelat me drogë ishin disa të rinj të zonave të thella që paguheshin me ditë pune, deri në 15 mijë lekë të vjetra dita. Pavarësisht çmimit, që do të jetë më i rritur se më parë, hashash do të ketë./Mapo
Sebi Alla