Hamdi Nuhiju
Një anije dy kate në vete ka shumë udhëtar që flasin gjuhë të ndryshme, kanë ngjyrë të lëkurës jo të njëjtë, kanë tradita, norma, rite dhe zakone që dallojnë prej njëra-tjetrës. Caku i saj është i përbashkët. Në të, të gjithë kanë paguar për të arritur synimin ose qëllimin e tyre përfundimtar. Lloj-lloj ushqime paraqiten që kanë shije të ndryshme dhe rrjedhin prej kuzhinave të ndryshme botërore. Udhëtarët ushqehen vetëm me ato ushqime që i shijojnë më së shumti, që i kanë të lejuar sipas normave, zakoneve, traditave dhe feve të tyre.
Nuk ndodh që të përzihet shapi me sheqerin, por edhe nëse ky element paraqitet , ai grup njerëzish tentojnë që të kapin ritmin deri në sfidën përfundimtare.
Anija është e ndërtuar me material të njëjtë, ka një drejtues dhe një ekuipazh i cili është i përgatitur për t`iu përgjigjur sfidave të udhëtimit.
Paramendoni sikur në këtë anije të ndodhin vrasje, rrahje, përdhunime? Harmonia e udhëtarëve do të zhdukej, konsensusi për të arritur në pikën përfundimtare do të shembej. As ushqimet më nuk do të kishin kuptim edhe pse janë esenciale, por edhe përgatitja e ekuipazhit do të humbiste orientimin në diçka që nuk është pjesë e punës së saj.
Sikur anijen ta kapnin dallgët e detit, do të rrezikoheshin të gjithë. Ajo që dallon prej çrregullimeve të brendshme është se të gjithë do të kishin të përbashkët elementin unik dhe do të përballeshin me sfidën e përbashkët. Duke i ndihmuar njëri-tjetrit, kjo sfidë do të minimizohej deri në nivelin e shndërrimit të saj në sfidë e parrezikshme për rrjedhën e udhëtimit të këtyre njerëzve.
Jeta në shoqëri është njëjtë si udhëtimi në një anije me njerëz që i njeh ose nuk i njeh. Detyrohesh që të dëgjosh, durosh e përballesh me karaktere të ndryshme. Disa edhe nuk të shkojnë për shtati, të tjerët të duken se janë jashtë kulturës dhe edukimit tënd. Sjellja e të tjerëve nuk korrespondon me normat dhe rregullat e fesë tënde, veshja e tyre t`i vret sytë. Ajo që është me rëndësi të dihet është se nuk mund që të arrish në pikën përfundimtare, po qe se refuzon që të përballesh me këto karaktere, sjellje, norma dhe zakone që dallojnë prej sjelljeve, normave dhe zakoneve tua. T`i nuk ke mundësinë e zgjedhjes së anijes.
Sfidat e udhëtimit dallojnë prej sfidave tjera, por kanë një emërtim të përbashkët me të gjitha sfidat e jetës. Nuk mund ta llogaritësh jetën statike, të palëvizshme. T`i nuk guxon që të kesh dy ditë të njëjta. E di saktë se nesër duhet që të përballesh me probleme, punë dhe njerëz të ndryshëm. Sikur të qëndrosh në vend, do ta dëmtosh veten tënde, kombin tënd, fenë tënde, por edhe shoqërinë në tërësi. Problemet më të mëdha shoqërore rrjedhin nga njerëzit statik, të palëvizshëm, të cilët nuk vlejnë për asgjë. Ata janë të dëmshëm për familjet e tyre, po më të dëmshëm janë për shoqërinë.
Gjendesh përballë një situate kur ke hipur në anije në katin e parë. Je statik, po i lëvizshëm në pikëpamje dhe mendime. Nuk pyet askënd, hap një vrimë në katin e parë të anijes. Anija u shemb. Udhëtarët u mbytën bashkë me ty. Caku përfundimtar nuk u arrit.