Psikiatria forenzike

Psikiatria forenzike, është pjesë e psikiatrisë së përgjithshme e cila shërben për nevoja të gjykatave, prokurorive ose institucioneve të ndryshme të sigurisë. Psikiatria forenzike ka edhe dy sinonime: psikiatria ligjore, medikolegale. Mësohet së bashku me psikiatrinë.

Zhvillimi historik i saj përcjell zhvillimin e psikiatrisë nëpër shekuj, d.m.th. të arriturat në psikiatri reflektojnë në zhvillimin e saj. Psikiatria forenzike mund të thuhet se ka të veçantat e saja, kështu që psikiatri i cili merret me të duhet të pajiset me njohuri themelore edhe nga shkencat e drejtësisë.
Kontributi i psikiatrisë forenzike shtrihet në disa fusha të së drejtës siç janë: e drejta penale, civile, familjare, e punës etj. Me psikiatri forenzike mund te merret psikiatri i cili konsulton psikologun, punëtori social dhe pjesëtarë të tjerë. Parapëlqehet puna në ekip.
Gjykata, prokuroria ose ndonjë institucion sipas rregullores ligjore d.m.th. kodit penal dhe procedurës penale të vendit konsulton, urdhëron psikiatrin për ekspertizë psikiatrike. Procedura, veprimtaria rreth ekzaminimit psikiatrik, nxjerrjes së mendimit, konstatimit, përpunimit të lëndës gjyqësore (pjesa që i intereson psikiatrit) quhet ekspertim. Mendimi, konstatimi, procedurat, rruga, gjendja e përshkruar në formë të raportit quhet ekspertizë. Në lëmin e psikiatrisë forenzike quhet ekspertizë psikiatrike. Personi që e kryen ekspertizën quhet ekspert nëse ka edukimin përkatës.
Mundësisht ekspertiza duhet ta paraqet gjendjen ekzistuese të saktë psikike ose fizike. Mirëpo, në raste të rënda pranohet edhe saktësia e përafërt. Kjo vlen vetëm për ekspertizë psikiatrike dhe quhet konstatim in foro, që d.m.th. ka mundur të jetë kështu ose ashtu . Në konstatimin in foro saktësia duhet të jetë mbi 51 %. E kundërta, te vlerësimet në lëmin e mjekësisë ligjore ku toleranca në saktësi është zero.

Kodi dhe procedura penale e çdo vendi ka specifikat e veta, mirëpo në themel kanë shumë ngjashmëri. Kërkesa kryesore e gjykatave për personin në procedim është pasqyrimi real i gjendjes mendore në momentin e kryerjes së veprës penale (tempore criminis), nëse ekspertiza është në rrafshin penal. Në rrafshe tjera kërkohen aftësitë mendore karshi veprimeve të personit si:
a) aftësitë për përpilim të testamentit,
b) për nënshkrimin e kontratave të ndryshme,
c) verifikimin e zotësisë së veprimtarisë etj.
Përpos gjendjes shpirtërore – fizike e çfarëdo tjetër, gjykatës-prokurorisë i intereson edhe gjendja para dhe pas kryerjes së veprimtarisë në fjalë. I intereson konstatimi se personi në procedim:
* a vuan nga ndonjë sëmundje psikike;
* të përhershme, d.m.th. sëmundje me prognozë më të keqe;
* çrregullim psikik të përkohshëm, që nënkupton ndonjë proces më të shkurtë, më të lehtë
* prapambetje mendore, ku nëse ekzistojnë sëmundje të lartcekura caktohet shkalla, lloji, natyra, prognoza.
Ekspertiza mund të kryhet nga një psikiatër, dy ose më shumë varësisht nga kërkesa e prokurorisë ose gjykatës. Ekspertimi mund të kryhet në gjykatore, në paraburgim, në mënyrë ambulatore me disa vizita në institucion përkatës ose në klinikë. Nëse ekzistojnë mundësitë, më së miri është në institucion përkatës të specializuar që quhet Qendër për psikiatri forenzike, Institut ose repart pranë spitaleve regjionale.
Janë dy terma juridik kryesor rreth të cilave thyhen të gjitha shtizat (në të drejtën penale) në këtë lëmi. D.m.th. pallogaritshmëria dhe llogaritshmëria e personit i cili kryen vepër penale në rrafshin e së drejtës penale, kurse në rrafshet tjera, specifikat tjera.
Llogaritshmëria, d.m.th., personi me pjekuri psikofizike i cili ka të ruajtura funksionet konjitive, njohjen, gjykimi, arsyen, vetëdijen, vullnetin e tij. Personi i tillë, në bazë të rregullores juridike është përgjegjës për veprimet ose mosveprimet e tij dhe bart përgjegjësitë nëse veprimet e tij bien ndesh me normat pozitive. E kundërta ndodh tek pallogaritshmëria, që d.m.th. personi i pallogaritshëm nuk bart përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e tij, sepse njohja, gjykimi, vullneti janë të sëmura. Veprimet e personit të pallogaritshëm dalin nga sëmundja, ai ka të deformuar realitetin dhe në saje të gjykimit të sëmurë, lëndon, vret, ose kënaq epshet e tij të sëmura d.m.th. me pasoja të rënda shoqërore.
Këtu dhe ekziston rëndësia kryesore e bashkëpunimit të psikiatrit me gjykatësin, sepse kauza e së drejtës nuk e dënon personin i cili nuk e ka ndjenjën e fajësisë, d.m.th. kur personi kryen vepër pa motivacion të shëndoshë, p.sh. vret fëmijën e tij, gruan, ose siç kanë filluar edhe tek në Kosovë, vrasjet serike, tre-katër persona në një familje. Vrasje të paskrupullta, të pakuptimta, bizare, vrasje morbide nga personat me ndryshime mendore.

Rëndësia e psikiatrisë forenzike është në parandalimin e këtyre delikteve. Psikiatri forenzik është më i përgatituri që të gjykon për rrezikun potencial nga personat me çrregullime mendore. Ka zëra që personat me çrregullime mendore kryejnë vepra penale simbolike (nr. të vogël), por unë personalisht mendoj që personat me çrregullime mendore, kryejnë vepra më shumë se sa përkrahet nga kolegët psikiatër, psikologë dhe sociologë. Kjo sepse të sëmurët mendorë sot në Kosovë mund të menaxhohen nga psikiatrit përkatës, në klinikë, në qendra të shëndetit mendor, në spitalet regjionale në ambulancë private, mirëpo, mundësitë për trajtim adekuat me barna, me vizita më të shpeshta, me trajtim psikologjik, terapi akupuese, shëtitje të organizuara, janë ende për t’u dëshiruar. Familjarët e këtyre personave janë në hall te madh, sepse çrregullimet janë kronike, të gjata, me përmirësime të shkurtra. Këta persona kryesisht nuk punojnë, nuk kontribuojnë, mbahen me shumë vështirësi.
Pikërisht, njoh persona që kanë qenë të detyruar ta braktisin punën dhe të kujdesen për personin në fjalë. Disa sorollaten rrugëve, disa herë është shkruar për ata, por vështirë që të bëhet më shumë. Shoqëria jonë, për momentin nuk ka shumë mundësi për strehimin e tyre ose trajtim më të mirë.

Ass. Dr. Fahri Drevinja, mr. sci.
Neuropsikiatër

Artikulli paraprakMani i zi, çaji i tij dhe dobitë shëndetësore
Artikulli vijuesTop 15 ushqime për njerëz me sëmundje të veshkave