Janë publikuar pamjet e kamerave të sigurisë në kullën e aeroportit Ataturk, në të cilat tregohet operacioni i forcave të policisë së Stambollit ndaj ushtarëve puçistë, anëtarë të organizatës terroriste FETÖ, të cilët kishin marrë kullën nën kontroll. Operacioni është ndërmarrë pak para se të ulej avioni i Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në këtë aeroport, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra, Policia e Stambollit pasi u informua që Presidenti Erdoğan do të ulej në aeroportin e Ataturk kanë ndërmarrë një operacion për kontrollin e kullës së trafikut ajror me urdhër nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Stambollit Mustafa Çalışkan.
Në një operacion të shpejtë, forcat speciale policore arritën të marrin kullën e trafikut ajror nën kontroll në një kohë të shkurtër, duke mënjanuar kështu një incident të mundshëm gjatë zbritjes së avionit të Presidentit Erdoğan.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duket qartë hyrja e forcave speciale duke thyer derën e kullës, si dhe dorëzimi i një prej ushtarëve që ndodheshin aty.