Publikohet raporti kombëtar për shëndetin e shqiptarëve

0
253

Është prezantuar sot në Tiranë Raporti shëndetësor kombëtar për shëndetin e shqiptarëve, një iniciativë e Institutit të Shëndetit Publik e mbështetur nga zyra e UNICEF-it në Tiranë.

 

Qëllimi i këtij raporti shëndetësor është që të japë një vështrim të gjerë mbi gjendjen  shëndetësore aktuale të popullsisë së Shqipërisë.

 

Më hollësisht, ky raport përshkruan tendencat e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë që kanë qenë të pranishme në popullsinë shqiptare gjatë viteve të fundit. Veç kësaj, raporti nxjerrë në pah faktorët kryesorë të rrezikut dhe determinantët e sëmundjeve dhe vdekjeve në popullsinë shqiptare. Raportin mund ta gjeni këtu (kliko)

 

Gjithashtu, raporti përshkruan shkurtimisht burimet e kujdesit shëndetësor, shpërndarjen e fuqisë punëtore, aksesin dhe përdorimin e kujdesit shëndetësor dhe shpenzimet e përfshira në sektorin shëndetësor shqiptar. 

 

I pranishëm në prezantimin këtij raporti ishte edhe Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj, i cili në fjalën e tij u shpreh së raporti përveçse është një burim informacioni për gjendjen aktuale shëndetësore të popullatës shqiptare, të dhënat analitike të raportit, shërbejnë gjithashtu, sipas ministrit edhe për të shpjeguar prirjet e ndryshueshmërisë së modeleve të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë në popullatën shqiptare këto 25 vite pas rrëzimit të sistemit komunist në vitin 1990. Gjithashtu ministri Beqaj ka theksuar se raporti në fjalë ofron mundësinë për krahasimin e gjendjes shëndetësore të popullatës shqiptare me vendet e tjera të rajonit të Europës Jug-Lindore.

 

Përsa i përket gjetjeve të raportit, në mënyrë të përmbledhur, duhet theksuar se barra e sëmundshmërisë për sëmundjet kronike si kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike, përbën shqetësimin kryesor për Shqipërinë, me një rritje potenciale të mëtejshme në dekadat e ardhshme, nëse nuk merren masat e duhura.

 

Në vitet e fundit, sëmundjet kronike në Shqipëri përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve (55% sëmundjet kardiovaskulare dhe 19% kanceri). Në këtë mënyrë, Shqipëria i është bashkuar shumicës së vendeve Europiane që përballen me epideminë e sëmundjeve kronike si sfida më madhore e shëndetit publik.

 

Përveç krijimit të një sistemi shëndetësor efiçient, të arritshëm (të aksesueshëm), dhe të përballueshëm, ekzistojnë mundësi për shmangien e të rinjve nga duhanpirja, abuzimi me alkoolin, inaktiviteti fizik dhe dietat jo të shëndetshme, të cilat kontribuojnë në barrën e ardhshme të sëmundjeve kronike në Shqipëri. Sipas gjetjeve të raportit sistemi i informacionit shëndetësor në Shqipëri ka nevojë për reformim dhe rinovim, që të bëjë të mundur menaxhimin dhe vlerësimin e përshtatshëm të sistemit shëndetësor Shqiptar.

 

Në bazë të këtij raporti, numri i përgjithshëm i mjekëve në Shqipëri është i pamjaftueshëm dhe paraqet një shpërndarje disi të pabarabartë. Numri i spitaleve dhe i shtretërve spitalorë është ulur gjatë viteve të fundit në  Shqipëri, por niveli shfrytëzimit të shtratit është ende i ulët. Mbulimi i përgjithshëm i vaksinimit të fëmijëve është mjaft i lartë (99 për qind). Shumica absolute e femrave (97 për qind) kanë bërë të paktën një vizitë antenatale gjatë periudhës 2006-2013, ndërsa 67 për qind e tyre kanë bërë të paktën katër të tilla.