Rusia ka zhvilluar një raketë të re “cruise” të pathyeshme, sipas asaj që ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin. Këtë zbulim, Putin e bëri teksa paraqiti politikat e tij kryesore për mandatin e tij të katërt presidencial, përpara zgjedhjeve që ai pret t’i fitojë pas 17 ditësh.
Ai shfaqi një rang të gjerë armësh të reja, përfshi edhe një raketë që mund të “mbërrijë në çdo cep të botës”. Përmes videoprezantimit, ai tha se raketa nuk mund të ndalet nga sistemet mbrojtëse amerikane në Europë dhe Azi.
Ai vuri theksin gjithashtu edhe në dy armë me kapacitete bërthamore, përfshi këtu një raketë “cruise” dhe një pajisje nënujore pa ekuipazh që mund të lëshohet nga një nëndetëse.
Koka bërthamore, siç tha ai, ishte një “raketë që fluturon në lartësi të ulëta dhe e vështirë për t’u pikasur, me një mbushje bërthamore, distancë praktikisht të palimituar dhe me një kurs të paparashikueshëm fluturimi, që mund të thyejë edhe linjat e interceptimit, e që është e pathyeshme përballë të gjitha sistemeve ekzistuese dhe atyre të ardhshme të mbrojtjes raketore dhe ajrore”.
Gjatë fjalimit dyorësh televiziv përpara një seance të të dyja dhomave të Parlamentit, ai inkurajoi rusët të sugjerojnë emrat për këto dy sisteme. Ai argumentoi se Rusia po reagon pas vitesh të tëra angazhimi me Shtetet e Bashkuara për të mos shkelur traktatet antiraketore.
Sa i përket procesit zgjedhor, Putin përballet me 7 sfidantë më 18 mars, edhe pse askush prej tyre nuk pritet të sigurojë mbështetje të gjerë popullore. Presidenti nuk mori pjesë në një debat televiziv të transmetuar të mërkurën, ku merrnin pjesë kandidatët e tjerë. Megjithatë, mungesa më e madhe e kësaj fushate është udhëheqësi kryesor i opozitës, Alexei Navalny, të cilit i ndalohet të garojë për shkak të një vendimi gjykate, ndaj dhe u ka bërë thirrje votuesve që të bojkotojnë zgjedhjet. Putin deri më tani ka bërë shumë pak fushatë e gjithashtu ka thënë shumë pak mbi planet e tij për 6 vitet e ardhshme.
Në pjesën e parë të fjalimit të tij, kreu i Kremlinit u angazhua për ndaljen e varfërisë në vend brenda 6-vjeçarit të ardhshëm. “Çdo person vlen për ne”, tha ai, duke shtuar se dëshiron që të rrisë punësimin dhe jetëgjatësinë. Ai tha se dëshironte që Rusia të imitonte normat e jetëgjatësisë në Japoni dhe Francë.
“Në vitin 2000, në Rusi ishin 42 milionë njerëz që jetonin nën limitin e varfërisë – tha ai. – Sot janë rreth 20 milionë të tillë, por ne duhet ta zvogëlojmë edhe më tej këtë numër”. Putin tha gjithashtu se Rusia nuk mund ta konsiderojë fuqinë e saj si “të falur nga Zoti”.
“Nuk kemi asnjë të drejtë të lejojmë që stabiliteti i arritur deri tani të na çojë në vetëkënaqësi. Veçanërisht për sa kohë që jemi ende larg zgjidhjes së shumë problemeve”, tha ai. “Rusia është tashmë një vend udhëheqës, me një ndikim të fuqishëm ekonomik dhe potencial mbrojtjeje. Por, duke parë detyrat ekstremisht të rëndësishme për të siguruar cilësi më të lartë jetese për popullin dhe mirëqenien e tij, ne duket qartësisht se nuk kemi arritur në nivelin që kërkojmë. Por duhet ta bëjmë këtë dhe kemi vullnetin për ta bërë”, shtoi ai mes duartrokitjeve.
Fuqia ushtarake ruse është forcuar me synimin për të ruajtur paqen në botë, argumentoi Putin. Gjithsesi, nëse dikush mund të mendojë të lëshojë një raketë bërthamore ndaj Rusisë, atëherë ai do të përballet me hakmarrje të menjëhershme.
Operacionet ruse në Siri, në mbështetje të luftës së qeverisë së Assadit kundër rebelëve, treguan kapacitetet gjithnjë e më të larta mbrojtëse të vendit, tha më tej presidenti. Ai njoftoi gjithashtu se një urë lidhëse me gadishullin e Krimesë do të hapet gjatë muajve të ardhshëm. Rusia e aneksoi gadishullin nga Ukraina në vitin 2014, gjatë mandatit aktual të Putinit në krye të Kremlinit. Rusia ka ruajtur gjithashtu interesat e saj në rajonin e Arktikut, duke forcuar infrastrukturën ushtarake në rajon.
Rritja dixhitale është gjithashtu thelbësore për Putinin. Ai tha se dëshiron që Rusia të bëhet një nga portat kyçe të botës për ruajtjen dhe procesimin e të dhënave të konsiderueshme. Ai bëri thirrje për më shumë progres në prodhimin e robotëve dhe përdorimin e inteligjencës artificiale. “Talentet e reja në teknologji duhet të përkrahen, sikurse duhet të nxiten edhe të huajt që duan të studiojnë në Rusi”. Të gjitha funksionet qeveritare duhen dixhitalizuar “për ta bëë më transparente luftën ndaj korrupsionit”, tha ai. “Shumica e zyrtarëve qeveritarë janë njerëz të mirë dhe të orientuar nga rezultatet, – tha ai, – por këto plane duhet të ndihmojnë cilindo”.
Gjithsesi, në pjesën e parë i është kushtuar vëmendje edhe klasës punëtore ruse dhe shqetësimeve të tyre. Putin u angazhua të shpenzojë më shumë për rrugët, në mënyrë që të reduktojë aksidentet. Ai tha se mësuesit meritojnë paga më të mira, ndërsa qasja në shërbimet shëndetësore duhet të sigurohet për popullin edhe në zonat më të thella. Në fund, ai tha se qasja në internet duhet të ofrohet për popullsinë e zonave rurale anembanë vendit, “nga Lindja e Largët deri në veriun siberian”.